Bylykbashi: PS përsëri sot nënvizoi frikën e saj nga përgjigjia që do të vijë nga ODIHR

DEKLARATA E OERD BYLYKBASHIT PAS MBLEDHJES SË KËSHILLIT POLITIK
 
Siç deklaruam në fillim të mbledhjes së sotme, opozita nguli këmbë në mbledhje që e vetmja pikë e axhendës të jetë nënshkrimi i përbashkët në këtë Këshill kërkesës drejtuar ODIHR në lidhje me zbatimin e standardeve ndërkombëtare për ndryshimin e rregullave themelore të sistemit zgjedhor.
 
Partia Socialiste, z. Gjiknuri refuzoi në mënyrë të vazhdueshme ngulte këmbë që të mbajë të pandryshuar qëndrimin e tij të palogjikshëm që të ndryshojë rregullat, ndërkohë që loja ka filluar.
 
Opozita kërkon me insistim, kërkoi edhe sot me insistim dhe përsëri u përball me refuzimin e Partisë Socialiste. Pra, opozita kërkoi me insistim që t’i drejtohemi ODIHR si arbitër i rënë dakord në marrëveshjen e 14 janarit.
 
PS përsëri sot nënvizoi frikën e saj nga përgjigjia që do të vijë nga ai që të gjithë kemi pranuar që të jetë arbitër jo vetëm i këtij procesi reforme, por edhe i zgjedhjeve në Shqipëri. Ne vazhdojmë të qëndrojmë në këtë pozicion.
 
Nëse PS nuk ndryshon qëndrim bllokon funksionimin e Këshillit Politik e për rrjedhojë bllokon edhe Reformën Konsensuale Zgjedhore që është kërkesë e BE-së si një nga 15 kushtet për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
 
Pyetje: Z. Bylykbashi, z.Gjiknuri tha se do të ishte dakord t’i drejtoheshit ODIHR-it por me një produkt konkret, p.sh me propozimin e socialistëve. Pse nuk bini dakord?
 
Bylykbashi: Kërkuan tekst, i kemi dhënë tekst, zyrtarisht amendamente të cilat garantojnë koalicionin siç është sot në Kodin Zgjedhor, në përputhje me Kushtetutën e ndryshuar më 30 korrik dhe listën e hapur 100%. Të marrë versionin tonë, versionin e vet, t’ia çojmë ODIHR-it së bashku dhe e mbyllim këtë çështje, vazhdojmë diskutimet me çështje të tjera. Pikërisht këtë nuk do z.Gjiknuri, sepse e di që përgjigja që do të vijë është që: Ajo që po bëni po prek standardet ndërkombëtare për zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.