Basha tjetër thirrje SPAK: Kur keni ndërmend t’i kyçni në pranga anëtarët e grupit të aferës 400 milionë euro?

Kryetari i PD, Lulzim Basha në bashkëbisedimin me gazetarët u shpreh se, SPAK po inkurajon vjedhjen e taksave të shqiptarëve duke mos dënuar politikanët e korruptuar.

Basha tha se, SPAK është përgjegjës ndaj aferës 400 milionë euro të qeverisë për inceneratorët dhe nga ky mosveprim vjedhja do të vazhdojë me 20 milionë euro të tjera të parashikuara për këta djegësa në Buxhetin e ri të vitit të ardhshëm

“Ja ku është arsyeja! (tregon Buxhetin e vitit 2021). Vazhdimi i aferës korruptive. Ja ku është thirrja ime e përsëritur për SPAK-un.

Ja çfarë bëni ju kur nuk veproni, kur nuk ndëshkoni hajdutët, kur mbroni dhe nuk ndëshkoni politikanët e korruptuar!

Ja çfarë bëni!

Zotërinj të SPAK, ju inkurajoni vjedhjen! Ju inkurajoni hajdutërinë e parave të shqiptarëve! Ju bëheni bashkëpërgjegjës që shqiptarët të mos kenë masa lehtësuese që kam tre javë që i përsëris ditë për ditë!

Për shëndetësinë, për vogëlushët dhe mësuesit, për shqiptarët e shpunësuar, për biznesin që nuk po mban dot kokën mbi ujë.

Sot është koha mos ta kyçni, por ta hapni gojën dhe të tregoni se kur keni ndërmend t’i kyçni në pranga anëtarët e grupit të strukturuar kriminal, për shkak të të cilëve shqiptarët janë të vetmit në Ballkan që nuk merr dot mbështetje nga taksat që ka paguar sepse taksat vazhdojnë të vidhen nga ky grup kriminal”, u shpreh Basha.