Basha: Rama është nervoz pasi e pret një humbje e madhe! E kam mundur në 2011 dhe e mund prapë!

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët ka komentuar nervozizmin e kryeministrit Edi Rama gjatë ditëve të fundit. Basha tha se, Rama është nervoz pasi e pret një humbje e madhe.

“Rama përdor forcën e tij politike si mburojë njerëzore në vendgrumnullimin e plehrave. E kuptoj nervozizmin e tij sepse e pret një humbje e madhe. Unë jam përballur me Ramën në 2011 dhe e kam mundur dhe e mund prapë. Sa herë hap konflikt, fut duart në xhepat e shqiptarëve. Sa herë bën batuta dhe bën si klloun po planifikon vjedhjen e rradhës. Është spektakli i ditës për të vjedhur bukën e ditës”, u shpreh Basha.

Pyetje: Zoti Rama ka deklaruar nga Elbasani ditën e djeshme se kjo është opozita më mizerabël që nga viti 1991 dhe prej ditësh injoron planin me 5 pika dhe procesin e përzgjedhjes së deputetëve. Keni një koment për këtë?

Basha: Unë e kuptoj nervozimin e tij, e kuptoj dhe frikën e tij. Sepse realisht e pret jo vetëm humbja e thellë, por edhe përballja me drejtësinë.

Tani, i gjithë fjalori i tij vulgar, sjellja rrugaçërore, ka një dhe vetëm një qëllim: të më tërheqë mua në një debat i cili është i zbrazët nga substanca, që duket si kacafytje midis meje dhe atij.

Në fakt unë nuk jam këtu për t’u kacafytur me të! Kemi pasur një përballje ne në 2011-ën, e kam mundur dhe prapë do ta mund porsa i përket egos personale, por kjo nuk është ego personale.

Unë jam këtu për të mbrojtur interesin e qytetarëve shqiptarëve, për të treguar përgjegjësitë që ky njeri ka, që sot 100 mijë shqiptarë kanë humbur vendet e punës dhe si asnjë në rajon nuk marrin asnjë ndihmë.

Unë jam këtu për të treguar arsyet pse ka ndodhur, që është afera e tmerrshme e inceneratorëve dhe të tjera si këto.

Edi Rama nuk ka përgjigje për këto dhe ndaj mos u çudisni për gjuhën e ulët , të baltës dhe gënjeshtrat e mashtrimet e tij.

Për të hequr nga vëmendjen nga menaxhimi i krizës pandemisë, nga vjedhja e parave të shqiptarëve me inceneratorët e aferat e tjera korruptive, nga fakti që nuk ka bërë një paketë të tretë, sulmet ndaj meje janë gjëja më e pakët që do të bëjë.

Siç kërceu në studio të enjten e kaluar do të shikoni dhe çudira të tjera. Do të bëjë çdo gjë me shpresën që shqiptarët do t’i harrojnë këto të vërteta.