Basha: Qeveria t’i çojë te qytetarët dhe biznesi lekët që ndan me një grup oligarkësh

Kryetari Basha në Kurbin për planin e rimëkëmbjes

Kriza ekonomike po thellohet çdo ditë. Parashikimet për të ardhmen janë edhe më shqetësuese. 40% e shqiptarëve pritet të zhyten në varfëri. Qeveria nuk do t’ia dijë. Ajo vazhdon të heshtë për qytetarët dhe bizneset që vuajnë dhe të mbushë xhepat e një grushti oligarkësh të lidhur me të.

Sot u takova me banorët e Kurbinit. Halleve dhe harresës 7 vjeçare të qeverisë, u janë shtuar edhe pasojat e tërmetit dhe pandemisë.

Me dhjetra biznese kanë mbyllur qepenat, qindra qytetarë kanë mbetur pa asnjë të ardhur. Shumë prej banorëve vazhdojnë të qendrojnë në çadra dhe shtëpi të dëmtuara, ndërsa të tjerëve po ju merren pronat dhe ju shkatërrohen shtepitë pa asnjë dëmtim, vetëm e vetëm për të hapur sheshe ndërtimi, për ndërtuesit rreth Ramës.

Banorët e Kurbinit kanë nevojë për ndihmë, biznesi ka nevojë sot për ndihmë. Kriza që po thellohet nga neglizhenca e qeverisë, do ta çojë vendin drejt kolapsit dhe do të shtojë numrin e shqiptarëve, që nuk sigurojnë dot ushqimin e përditshëm.

Pa humbur kohë, qeveria duhet që lekët që ndan me një grup oligarkësh, t’i çojë te qytetarët dhe biznesi.

– Çeku prej 1,000 euro për biznesin e vogël, për të lehtësuar barrën e pagesave dhe shpenzimeve të papërballueshme për 6 muajt e ardhshëm;

– Pagesa mujore prej 160 mijë lekësh të vjetra për ata që kanë humbur vendin e punës, si minimum konsumi për 6 muajt e ardhshëm;

– Pagesa mujore prej 200 mijë lekësh për çdo punonjës, që biznesi rikthen në punë gjatë 6 muajve të ardhshëm;

– Shtesa mujore prej 20 mijë lekësh për pensionistët për shpenzimet shëndetësore shtesë gjatë 6 muajve të ardhshëm.

Ky është plani i ndaljes së rrokullisjes deri më 25 prill. Pas 25 prillit, çdo lek që sot shkon për tendera dhe koncesione korruptive, do të shkojë për të hapur vende pune dhe mbështetur biznesin.
#ditëmëtëmira