Basha: Për 6 muaj janë dhënë 100 milionë euro ndihma, kurse Kosova ka dhënë 450 milionë euro

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha tha se, plani i rimëkëmbjes parashikon një rialokim të buxhetit të shtetit në vlerën 3 përqind.

Kjo do bëhet e mundur duke shkurtuar shpenzimet e luksit dhe shpenzimet e tepërta. Sipas tij, duhen hequr paratë që u shkojnë oligarkëve dhe koncesioneve si ai i inceneratorëve.

“Mbrëmë qeveria ka miratuar një tjetër pagesë për inceneratorët, me një vlerë prej 1.8 mln dollarë, që i ka marrë nga fondi i ujësjellës-kanalizimeve”, tha Basha.

“Njerëzit presin përgjigje sot, kurse ky thotë prisni pas prillit se do u rris rrogat, do u heq taksat. Kërkoj që Rama të marrë dhe t’i zbatojë këto 5 pika. Sot ka ardhur puna te jeta dhe vdekja, te buka e gojës. Shikoni çfarë thotë BERZH, që Shqipëria ka parashikimin më negativ për vitin e ardhshëm.

Për 6 muaj janë dhënë 100 milionë euro ndihma, kurse Kosova ka dhënë 450 milionë euro. Vendet e tjera po bëjnë gati paketën e katërt”, tha Basha.

Ai përmendi më pas skandalin e aksit Korçë-Leskovik, ku do jepen 20 milionë euro për 4 km rrugë.

“Në prill mori propozimet tona, i shkroi, por nuk i zbatoi. Fjala pagë lufte është tinëzare, pasi sipas ligjit, nëse mbyll bizneset, i lind detyrimi ligjor për të paguar faturën e dëmit,” tha Basha.

Më pas ai shpalosi disa detaje të planit prej 5 pikash.

“Ka vendosur interesat e një grushti oligarkësh mbi shqiptarët.

Sot janë afërsisht 100 mijë të papunë. U dhe dy pagat, po tani me çfarë do të jetojnë këta njerëz?

Ne propozojmë për të gjithë njerëzit që kanë humbur punën një çek prej 160 mijë lekësh në muaj për gjashtë muaj.

Ne propozojmë që biznesi që rimerr në punë njerëzit, të marrë 200 mijë lekë për këdo që ripunëson.

Ne propozojmë që pensionistët të marrin minimalisht 20 mijë lekë për shpenzimet ekstra.

Çdo biznes i vogël të marrë një çek prej 1 mijë eurosh për të minimizuar efektet e krizës. Ky çek do i jepte mundësi për të shlyer disa detyrime. Ky është një propozim realist”, tha Basha.

Plani i rimëkëmbjes duhet zbatuar tani, kostoja është 312 milionë euro

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, i ftuar në Çim Peka LIVE tha se ka vendosur të fokusohet te ekonomia pasi vendi është në prag të një kolapsi.

Sipas tij, plani me 5 pyetje për rimëkëmbjen ekonomike nuk është plani ekonomik i PD për katër vitet e ardhshme. “Plani për pas 25 prillit është diçka tjetër”, tha Basha.

Sipas tij, është e nevojshme që plani i rimëkëmbjes të zbatohet tani.

“Sot çfarë do të bëjmë, sot çfdarë do të bëjë i papuni që nuk sjell ushqimet në tavolinë, çfarë do të bëjë biznesi, çfarë do të bëjë ai që ka humbur punën.

Nuk janë këshilla, është një plan pasi prej javësh kemi mbledhur të dhëna, kemi parë gjendjen e buxhetit dhe kemi propozuar një plan realist. Po të ishim sot në krye të vendit, do e zbatonim.

Kosto totale është afro 312 milionë euro që ndahen në 6 muaj. Pas 25 prillit, PD ka një plan edhe për përballjen me pandeminë, por edhe për ringritjen e ekonomisë”, tha Basha.