Basha: Edi Rama e di që do të humbasë thellë! Asgjë nuk e shpëton nga llogaridhënia…

Kryetari i PD, Lulzim Basha, tha gjatë bashkëbisedimit me gazetarët se, asgjë nuk e ndal ndryshimin, duke shtuar se Edi Rama nuk shpëton nga llogaridhënia për 7 vitet e keqqeverisjes dhe premtimet e pambajtura.

Teksa deklaroi se Edi Rama e di që do të humbasë thellë, Basha theksoi se, platforma e PD për zgjidhjen e halleve të shqiptarëve vazhdon të jetë pjesë e përditshme e komunikimit me qytetarët.

“Asgjë nuk e ndal ndryshimin, asgjë nuk e shpëton Edi Ramën nga llogaridhënia për 7 vite keqqeverisje dhe premtime të pambajtura. Edi Rama e di që do të humbasë thellë, kjo është arsyeja pse ndryshoi ligjin, pse krijon thashetheme pa vlerë.

Ne nuk do ta ndjekim në këtë lojë, nuk do të bëhemi pjesë e lojës së tij. Ai e ka pasur shansin të tregojë veten dhe e ka treguar. Ai është shkaktari i shkatërrimit të ekonomisë, i largimit të shqiptarëve, i kolapsit dhe ditës më të zezë për shqiptarët. Ne jemi të fokusuar të nxjerrim Shqipërinë nga gropa ku e ka futur Rama.

Ndryshimi është i pashmangshëm. PD prej gati dy vitesh në terren, që shfaq platformën e saj. Programet tona dhe zgjidhjet për shqiptarët janë publikuar, vazhdojnë të jenë pjesë e përditshme e komunikimit tonë me shqiptarët. PD ka prekur problemet dhe iu ka ofruar atyre zgjidhje”, tha Basha.