Basha: Bonus 1 mijë euro për çdo mjek dhe 500 euro për çdo infermier

Kryetari i opozitës Basha kërkoi nga qeveria që ti japë mjekëve një bonus prej 1 mijë eurosh për 6 muajt e ardhshëm dhe nga 500 euro infermierëve. Basha tha se mjekët dhe infermierët po largohen sepse nuk kanë kushte dhe jeta e tyre është e rrezikuar.

Kreu i opozitës, Lulzim Basha tha se mjafton rialokimi i 3 përqind të buxhetit për të ndihmuar 1 milionë shqiptarë, që janë prekur rëndë nga pandemia.

Ai tha se këto para do të hiqen nga shpenzimet e luksit të qeverisë dhe pagesat për oligarkët dhe do të shkojnë te qytetarët në nevojë.

Sipas tij, ky propozim nuk bie ndesh me ideologjinë e djathtë.

“Rama po i çon paratë te oligarkët, po i çon te Klod Mërtiri i inceneratorëve, po i çon te Vilma Nushi, po i çon te ata pesë vetë që bëjnë sikur ndërtojnë rrugë me pesëfishin e kostove.

Këto para do të shkojnë për të mbështetur konsumin. Nëse e kemi situatën në prag të kolapsit, kjo vjen për shkak të rënies së konsumit.

Nga ky plani ynë do përfitojnë 1 milion shqiptarë. Ashtu siç jepen, do të dalin në treg,” tha Basha.

“Nuk duhet të harrojmë asnjë shqiptar që sot vuan,” tha Basha.