Banka e Shqipërisë paralajmeron qeverinë: Mos rreziko bankat

Politika nuk duhet të transferojë kosto të mundshme të krizës ekonomike në bilancet e sektorit bankar. Zëvendësguvernatorja e parë, Luljeta Minxhozi, tha sot në konferencën virtuale vjetore të Bankës së Shqipërisë, se bankat po mbajnë peshën e duhur të barrës së krizës dhe ato do të mund të absorbojnë një pjesë të madhe të kostove shtesë financiare, në rast goditjesh të mëtejshme.

“Megjithatë, politikat financiare dhe makroprudenciale duhet të shmangin tundimin për të zhvendosur një pjesë gjithnjë në rritje të kostos në bilancet e bankave. Stabiliteti financiar dhe një sektor bankar i qëndrueshëm janë parësorë për një rritje ekonomike afatgjatë,” tha zj.Minxhozi.

Deklaratat e saj lënë të kuptohet se, në rast të kufizimeve të reja të lidhura me pandeminë, nuk duhet kërkuar sërish nga bankat dhe institucionet financiare një moratorium i detyrueshëm i pagesave të kredive, i ngjashëm me atë që u miratua në muajin mars. Sipas saj, sistemi financiar mbetet solid, me luhatje të ulëta në tregjet financiare, norma të ulëta interesi të kredidhënies, kurs këmbimi valutor të qëndrueshëm, si dhe një sektor bankar likuid dhe të mirëkapitalizuar.

Banka e Shqipërisë beson se qëndrimi i përgjithshëm i politikës monetare duhet të mbetet lehtësues gjatë periudhës së ardhshme të parashikueshme, duke lënë të kuptohet se nuk do të ketë rritja të normave të interesit, derisa të ketë prova të mjaftueshme të rimëkëmbjes së ekonomisë.

“Çdo normalizim i politikës duhet të jetë i koordinuar dhe i bazuar në të dhëna. Një normalizim i koordinuar do të thotë një kombinim ideal, së pari, i qëndrimit të politikës makroprudenciale, i ndjekur më pas nga politika fiskale dhe ajo monetare. Politikëbërësit kanë nevojë të shohin evidenca të dukshme të një rigjallërimi të qëndrueshëm, para se të ndërmarrin masa të shtrëngimit të politikës. Për shkak të rigjallërimit të brishtë, politikëbërësit do të ishte e këshillueshme të anonin nga ana e kujdesit,” tha zj.Minxhozi.

Ndërkohë, ajo përsëriti gatishmërinë për stimuj të mëtejshëm monetarë, duke përshirë edhe përdorimin e politikave jokonvencionale, por theksoi se bankat qendrore të ekonomive në zhvillim duhet të tregohen të kujdesshme në marrjen përsipër të rreziqeve të reja

“Tregjet financiare likuide nuk janë kura për krizën, por mbeten parakusht i nevojshëm për çdo zgjidhje. Bankat qendrore të ekonomive në zhvillim – përfshirë Shqipërinë – gjithashtu po studiojnë mundësinë e përdorimit të instrumenteve jokonvencionale. Megjithatë, kjo nuk është pa rreziqe dhe nuk mund të zbatohet me lehtësi në ekonomitë në zhvillim. Mendojmë se bankat qendrore të vendeve në zhvillim duhet të shmangin rritjen e profilit të rrezikut të bilanceve të tyre dhe duhet të përpiqen të ruajnë besueshmërinë e kuadrit të politikës dhe të atij të pavarësisë së tyre,” tha ajo

Sipas saj, politika fiskale duhet të ofrojë mbështetje shtesë, në varësi të hapësirës fiskale ekzistuese. Deri më tani, sektori publik në ekonomitë e zhvilluara ka nivel të ulët të kufizimeve financuese, pjesërisht falë injektimeve masive të likuiditetit nga bankat qendrore. Por, Banka e Shqipërisë gjykon se autoritetet fiskale të ekonomive të tregjeve në zhvillim duhet të jenë të kujdesshme lidhur me nevojën për të ruajtur besueshmërinë e tregjeve në qëndrueshmërinë e financave të tyre

Lidhur me efektet e pritshme të pandemisë në ekonomi, Banka e Shqipërisë vlerëson se ajo mund të sjellë rritje të pabarazisë, si brenda ekonomive ashtu edhe ndërmjet ekonomive të ndryshme.

“Një pasojë ekonomike e kësaj pandemie është se ajo mund të ngadalësojë procesin e përshpejtimit të ekonomive në zhvillim në krahasim me ato të zhvilluara. Një tjetër mund të jetë pabarazia brenda një ekonomie, meqenëse papunësia godet më shumë popullsinë në moshë të re dhe atë me nivel arsimor më të ulët. Mënyra si këto divergjenca mund t’i japin formë politikave të ardhshme sociale dhe ekonomike, të cilat kanë për qëllim t’i trajtojnë këto dallime, mbetet për t’u parë,” tha zj.Minxhozi.

Banka e Shqipërisë evidenton gjithashtu tendencën e kalimit drejt bizneseve dhe financave dixhitale. Ndërsa teknologjia financiare, e njohur si FinTech, ka qenë në rritje para kësaj pandemie, mbyllja totale dhe ndërveprimi social i kufizuar kanë nxitur më tej rritjen e këtij sektori, i cili mund të ndryshojë tablonë e industrisë financiare në të ardhmen.