Artistët në mbështetje të grave naftëtare, biseda në dhomën e grevës së urisë

Aleanca për Mbrotjen e Teatrit është solidarizuar më grevën e urisë së naftëtareve të Ballshit. Një grup artistësh i kryesuar nga regjisori Edmond Budina u takua me to sot.

“Ne do t’i mbështesim këta njerëz si qytetarë të këtij vendi, që na dhemb shpirti, tha Budina. Kam bërë 20 vite në Itali dhe e di çdo të thotë të punosh, e të mos paguhesh, të të shfrytëzojnë. Nëse do të ishin politikanët të ndershëm, do t’i paguanin këta njerëz me xhepat e tyre. Paratë e tyre duhet t’i paguanin një më një”.

“Qeveria duhet ta zgjidhë sa më shpejt hallin e tyre. Këto gra nuk do të jenë vetëm. Nëse shumë shpejt nuk zgjidhet halli i këtyre grave, këtu shumë shpejt do të hyjnë në grevë edhe shumë të tjerë, madje edhe ne mund të hyjmë në grevë urie”, deklaroi regjisori.

Ndërsa i mirënjohuri Mehdi Malkaj, iu drejtua grevistëve ndryshe: “Ju kemi xhan”, tha ai i prekur.