72 milionë euro për tre inceneratorë që nuk punojnë!

Nga viti 2015, 72 milionë euro janë paguar nga buxheti i shtetit për ndërtimin dhe funksionimin e tre inceneratorëve, dy prej të cilëve ende nuk janë ndërtuar, ndërsa tjetri punon me kapacitet të përgjysmuar.

Të tre inceneratorët i janë dhënë të njëjtit grup njerëzish, duke krijuar praktikisht monopol.

Neritan Sejamini, në emisionin ‘Me pak fjalë’ në Euronews Albania shpjegoi monopolin e dyshimtë të djegies së mbetjeve, krijuar nga hiçi.

Qeveria shqiptare nuk kishte asnjë plan për ngritje incineratorësh. Ka mjaftuar një letër nga një kompani e krijuar nga hiçi, pa kapital dhe pa përvojë, dhe qeveria vendosi brenda pak javësh t’i japë kompanisë koncesionin e incineratorit të Elbasanit.

Kjo kompani, nga hiçi, pa asnjë kapital dhe përvojë, mori një koncesion 22 milionë euro, brenda 4 muaj e tre javësh nga krjimi.

Brenda dy vjetësh, dha koncesionin e e Fierit dhe të Tiranës, me të njejtën skemë dhe praktikisht të njejtëve persona, duke krijuar monopol.

E keqja u thellua me kontratat koncesionare: kushtet e koncesioneve janë në favor të koncesionarëve dhe në dëm të shtetit.

— Qeveria fillon e paguan koncesonarin që para përfundimit të ndërtimit.

— Qeveria i garanton koncesionarit të kompensojë të ardhurat kur nuk do kenë plehra mjaftueshëm për të djegur.

Si rezultat, koncesionarët kanë zvarritur ndërtimin, ndërsa qeveria nuk ka vonuar asnjë ditë pagimin.

Nga të tre incineratorët është ndërtuar vetëm i Elbasanit, i cili punon me hope pasi nuk ka mjaftueshëm plehra për të djegur.

I Fierit dhe Tiranës duhet të kishin përfunduar që në vitin 2018, por nuk kanë përfunduar ende.

Sa para i kanë kushtuar qytetarëve këto inceneratorë?

Sipas të dhënave të thesarit, botuar nga Open Data Albania, incineratori i Elbasanit ka marrë që nga viti 2015 deri në qershor 2020 rreth 30 miliardë lekë, ose rreth 25 milionë euro.

Kontrata e koncesionit ka qenë për 22 milionë euro. Buxheti ka paguar 3 milionë euro më shumë se kostoja e kontratës. Kostoja totale do të shtohet edhe me miliona të tjera në dy vitet e ardhshme.

Incineratori i Fierit ka marrë deri në qershor 2020 rreth 2,6 miliardë lekë ose rreth 22 milionë euro. E gjithë kostoja e projektit është 27 milionë euro.

Pra, ende pa u ndërtuar incineratori, koncesionari ka marrë rreth 82 për qind të kostos së kontratës.

Është e sigurtë që deri në përfundim të koncesionit do paguhet shumë më shumë se kontrata.

Incineratori i Tiranës ka marrë nga buxheti i shtetit në total rreth 30 miliardë lekë ose mbi 25 milionë euro. Pra, në dy vjetët e parë të konceisonit 30 vjeçar, pa ndërtuar incineratorin, koncesionari ka marrë mbi 20 përqind të kostos totale të projektit.

Në total, deri në qershor 2020, janë paguar 72 milionë euro të dhëna nga paratë e buxhetit për të tre koncesionet, të cilët deri tani janë të dështuara nga shërbimi që ofrojnë.

Gjendja do bëhet më e keqe në të ardhmen pasi asnjë nga incineratorët, në shkelje të kontratës nuk prodhon energji të paktën në afatshkurtër, duke humbur një nga burimet kryesore të të ardhurave.

Nga ana tjetër, kapaciteti i tyre është shumë më i madh për të qenë fitimprurës.