Kryemadhi: Edhe Taulant Balla po t’i numërojë votat, nuk e ndal fitoren e opozitës! Një përgjigje edhe për “lali Erin”

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi u shpreh sot gjatë një konference për mediat se, edhe Taulant Balla po t’i numërojë votat më 25 prill, e ka të pamundur të ndryshojë rezultatin. Kryemadhi shprehu bindjen e plotë se opozita e bashkuar do t’i fitojë zgjedhjet më 25 prill.

“Pavarësisht se Oliver Varheli, bëri kërkesë ku i kërkon maxhorancës që të presë e mos të bëhet arrogante, kjo tregon panik dhe mungesë besimi që ka Rama dhe grupi i tij për zgjedhjet e 25 prillit, tha Kryemadhi për ndryshimet e Kodit Zgjedhor. – Kodi zgjedhor është taktikë elektorale që Rama tenton që të çorientojë qytetarët.  Mendoj se është taktikë elektorale që përdoret rëndom, por që është bërë demode.

Në LSI ka prurje të reja që vijnë me vizion të 2021-it. E ka të kotë.

Në 25 prill, edhe Taulant Balla t’i numërojë votat e opozitës, e ka të pamundur që të ndryshojë rezultatin. Ata ishin vet që i numëruan votat e tyre dhe s’i nxorën dot për një muaj.

Pika e fortë e opozitës është objektivi që ka. LSI ka objektiv zgjidhjen e problemeve, vendet e punës, sistem arsimor dhe slogani ynë; Shqipëria është shtëpia e shqiptarëve”, tha Kryemadhi.

Vila në Lalëz

Kryemadhi i është përgjigjur akuzave të kryebashkiakut Erion Veliaj për vilën tek Gjiri i Lalëzit. Në bashkëbisedimin me gazetarët, Kryemadhi tha se e ka të deklaruar dhe këtë e dinë të gjithë ndërsa ngriti pyetjen nëse Veliaj i ka të deklaruar pronat e tij dhe ironizoi fustanet luksoze të bashkëshortes së kryebashkiakut.

“Monika Kryemadhi ka deklaruar vilën e Lalzit. Madje dhe vijnë e bëjnë fotografi, edhe ndonjë nuse me dhëndër. Po Veliaj i ka deklaruar pronat e veta? Se fustanet Dolce Gabanna të gruas së vet thotë që i ka bërë gjyshja”, tha kryetarja e LSI.

Sa i përket deklaratave të Veliaj se LSI është parti që ka synim vënien e gjobave, Kryemadhi iu përgjigj pyetjes së gazetares së Fax Neës, Jonada Zelka duke thënë:

“Mendoj që sot më shumë se kurdo tjetër, diferenca mes LSI dhe Rilindjes është shumë e madhe., mjafton të pyesni ndërtuesit e Bashkisë që të marrin leje duhet të paguajnë 8% e shitjes për metër katror, 3% që e merr Bashkia për banesa sociale dhe të mos flasim për gropat e plehrave që çdo ndërtues për të hapur gropën duhet të paguajnë miliona euro për dheun që heqin tek një kompani fantazëm dhe kur të marrin dheun sërish për lulishte, duhet ta blejnë sërish.

Kostoja e ndërtimit është trefishuar për përdorimin e parave të drogës si lavatriçe. Sot po vijnë njerëz me katër klasë shkollë dhe po bëjnë ndërtime ndërsa kompani të tjera me inxhinierë e CV në ndërtim janë zhdukur nga tregu se kanë hyrë të tjerë që bëjnë pallate në oborret e shkollave.

Në fushat e sportit të shkollës Servete Maçi janë ndërtuar pallate. Ajo që të bën përshtypje është që sduhet të kemi frikë nga njerëz që thonë të vërtetën por thonë gënjeshtra nga mëngjesi në darkë. Për aq kohë sa jam munduar të jem korrekte me njerëzit, atë që e kam marrë përsipër e kam çuar deri në fund. Nuk thotë njeri që ka gënjyer Monika ndërsa 80% thonë që ka gënjyer lali Eri”.