Rrëfimi tronditës i naftëtares greviste: Rama na preu në besë!

Dëshmia tronditëse për gazetën MAPO e naftëtares Merjeme Fejzaj; 35 vite në puset e gazit e naftës, sot pa punë, shteti i ka prerë edhe dritat e ujin. “Kam 13 paga pa marrë, Rama na preu në besë”.

Një histori korrupsioni dhe drame njerëzore. Kjo është ajo e kompanisë ARMO dhe e 900 naftëtarëve të Rafinerisë së Ballshit, të cilët prej vitesh rropaten në dyert e institucioneve për të marrë asgjë më shumë nga ajo që u takon; pagat për punën e kryer.

Merjeme Fejzaj, 53 vjeç, nga Ballshi dëshmon për gazetën MAPO historinë e saj tronditëse se si jeta i është kthyer përmbys.

Ajo është pa punë që nga janari i 2020-s dhe nuk ka arritur të marrë as 13 pagat e prapambetura nga viti 2013-2015, dhe pse ka fituar gjyqin me kompaninë punëdhënëse.

Në shtëpinë e saj sot mungojnë të ardhurat minimale të jetesës. Shteti i ka prerë energjinë elektrike dhe ujin pasi nuk kishte mundësi t’i paguante.

Vajzën është e detyruar ta largojë nga shkolla pasi nuk ia del dot të paguajë për të.

Beteja e saj është një betejë për jetën.

Ashtu siç është edhe e 15 shoqeve të saj që sot gjenden në ditën e 9-të të grevës urisë. Greva e tyre është vazhdim i asaj të burrave naftëtarë, të cilët rezistuan plot 18 ditë deri sa shëndeti u rëndua.

Kryeministri Edi Rama iu ka kërkuar të ndërpresin grevën në mënyrë që të hyjnë në negociata, por për to, ky është një film që e kanë parë disa herë.

Premtimet e Ramës, të ministrave Ahmetaj dhe Gjiknuri i mbajnë mend shumë mirë. Ato premtime mbetën vetëm fjalë në erë.

“Na ka prerë në besë. Kur erdhi Rama në 2016 me ministrat e tij na ka thënë se nëse firma private që mori në pronësi ARMO-n do të falimentojë ju do të paguheni me pagë minimale, por nuk kemi marrë asnjë pagë. Na u premtua që do merrnim pagat e prapambetura, por nuk i kemi marrë dhe pse i kemi fituar me gjyq”, tregon Fejzaj.

Ajo thotë se është kryefamiljare, paga e saj ka mbajtur familjen, por sot janë në atë pikë mbijetese që nuk e kishin menduar kurrë.

“Burri është pa punë. Ujin dhe dritat m’i kanë prerë. Vajzën do ta heq nga shkolla se nuk kam mundësi ta mbaj në Tiranë. Në këto halle janë dhe të gjithë naftëtarët e tjerë. Shoqes time i vajti kredidhënësi për t’i kërkuar kredinë atje në grevë dhe ajo pësoi shok, përfundoi në spital me tension të lartë”, tregon ajo, ndërsa flet nga shtëpia, ku ka kaluar jetën me shpresën se profesioni i naftëtares do t’i siguronte një jetesë të mirë.

Vajza e saj e vetme e Merjemes, Era, kërkon të përcjellë një mesazh në emër të fëmijëve të grave naftëtare.

“Ato që janë në grevë janë heroina. Ne, fëmijët e tyre, i mbështesim çdo ditë dhe në çdo vendim që ato do marrin. I bëj thirrje dhe shtetit që supozohet të na dali krahë ta kthejnë një herë kokën nga nënat tona”- i thotë ajo MAPO-s.

“Ky qytet po vdes”, konstaton me zërin që i dridhet.

Janë 900 naftëtarë, 900 familje që sytë i kanë drejtuar nga rafineria e Ballshit, e cila është pasuria e madhe e këtij vendi të varfër. Një pasuri që nuk e gëzojnë banorët e tij.

“Kjo është një mafia e paparë. Me punën tonë si skllevër pasurohen horrat”- thotë ajo për gazetën MAPO.

Merjemja shpresonte që të punonte deri në ditën e pensionit, edhe pse e dinte që puna e vështirë që ka bërë gjatë gjithë jetës, që pas mbarimit të Teknikumit të Naftës, një shkollë profesionale nga ku kanë dalë të gjithë naftëtarët e sotëm, do t’i rezervonte një pleqëri të vështirë.

“E dini ju gazetarët, që jeni të vetmit që na keni qëndruar në krah në dramën tonë të vazhdueshme, se naftëtarët vdesin të rinj, shumica e shokëve tanë nuk e kanë gëzuar pensionin sepse puna që bëjmë është shumë e dëmshme për shëndetin. Mbrëmë vdiq një shoku ynë, vetëm 59 vjeç. Ne vuajmë të gjithë nga sëmundje profesionale sepse trupi ynë ka qenë ekspozuar nga shumë helme”, tregon Merjemja.

Pas një jete të ndërtuar me punë e përpjekje nuk e kishte menduar kurrë që do ta shihte veten duke shqyer me forcë dyert e ministrisë për të kërkuar të drejtën e saj.

“Më 17 shtator ishim në Tiranë, protestuam te dera e Ministrisë së Energjetikës, kam shqyer derën jam futur brenda me forcë, kam kërkuar takim me ministren Balluku, po ajo nuk na priti. Sikur të na kishte pritur, edhe nëse nuk do të zgjidhte gjë, po vetëm të fliste me ne, sot nuk do të ndërmerrnim aktin e fundit të rezistencës tonë; grevën e urisë”.

Merjemja dhe qindra naftëtarët e tjerë ndihen të nëpërkëmbur, të gënjyer dhe të lënë në mëshirë të fatit nga shteti i tyre.

“Rama është bërë i pabesueshëm, edhe statusin e naftëtarit që na premtoi nuk e morëm kurrë”, përfundon Merjeme Fejzaj, e cila ndihet e dërrmuar nga stresi që i ka shkaktuar e gjithë kjo luftë e pafund.

Ajo shkon çdo ditë te shoqet e saj në grevë urie, kujdeset për to, ju dërgon ndërresa dhe pret radhën që të futet në grevë urie. Në fund të fundit nuk ka më çfarë të humbasë, ky është një akt ekstrem proteste i njeriut që i ka provuar të gjitha rrugët e tjera. /MAPO