Fushata e çingijeve

Nga Red VARAKU

Prej ditësh Erjon Veliaj ka marrë me qira dhe po prezanton plot bujë disa individë të botës së spektaklit sikur po i bashkohen PS, po që në fakt janë të punësuar dhe paguhen prej kohësh nga Bashkia Tiranë në forma të ndryshme.

Deri këtu nuk ka asnjë problem. Ka vetëm mashtrim dhe shpërdorim të parave të qytetarëve, por duke njohur Veliajn, kjo sot nuk përbën as lajm dhe as problem.

Gjithashtu , marrja me qira e njerëzve të spektaklit, llahinkave, çingijeve, gaztorëve apo sportistëve për të përmirësuar imazhin e partive politike, nuk është një gjë e re dhe as një gjë që e ka shpikur Veliaj.

Problemi është kur kjo kthehet në një gjest të dëshpëruar, që vjen nga sforcimi për të prodhuar një lajm për të mbuluar të vërtetat e hidhura që po e kalbin këtë vend, për të cilat njerëzit presin zgjidhje.

Në vend të Valbona Selimllarit njerëzit presin një zgjidhje për krizën organike ekonomike, politike, sociale që është pasojë e drejtëpërdrejtë e kriminalizimit të shtetit pikërisht nga kjo qeveri.

Në vend të Eli Farës njerëzit presin përgjigje për miliona euro, që po i vidhen përmes aferës së inceneratorëve dhe po i falen pikërisht miqve të Erjon Velisë, në një kohë kur ekonomia po shkon pikiatë.

Në vend të Redi Jupit njerëzit duan përgjigje për falimentimin e sistemit tonë shëndetësor, kryesisht për shkak të konçesioneve korruptive të miqve të Veliajt.

Ata duan të dinë masat që ka marrë kjo qeveri për të mbrojtur shëndetin e tyre, sepse deri tani po e përballojnë me shpenzimet e tyre gjithçka.

Në vend të gaztorëve të portokallisë njerëzit duan të dinë arsyet se pse janë bllokuar negociatat. Ata duan zgjidhje për dëmet ekonomike të shkaktuara nga tërmeti dhe pandemia. Ata duan përgjigje për miliona euro ndihma që janë zhdukur në xhepat e të korruptuarve.

Sigurisht, vendimi i këtyre individëve për të kënaqur partinë dhe epshet e një turme të uritur për spektakël dhe egzaltimi i tyre në krah të Veliajt lë shumë për të dëshiruar në lidhje me personalitetin e tyre.

Por, kur mendon që këta individë, kënaqjen e epsheve e kanë detyrë parësore me anë të së cilës ushqehen dhe jetojnë në luks, kupton që fajin nuk e kanë më këta.

Ata shitjen e kanë shndërruar në profesion! Pra, ata kanë dalë për tu shitur dhe sigurisht shërbimet ia ofrojnë atij që i ofron pazarin më të mirë, nuk ka rëndësi a është ky hajdut, pervers, mashtrues apo kriminel.

Ndaj, nuk duhet t’i fajësojmë shumë ata që “artin” e tyre e kanë kthyer në biznes! Fundja, çdo njeri zgjedh të bëjë çfarë të dojë me nderin e tij.
Është e qartë që rilindjes nuk i interesojnë këta si individë ! Individë si këta që shesin gjithçka për favore dhe para gjen kudo, mjafton një fishkëllimë dhe mbush një kamion!

Rilindjes i intereson zhurma që bëhet për këta. Asaj i intereson që njerëzit të flasin për këta, të merren me ta, t’i lavdërojnë apo t’i poshtërojnë, t’i vlerësojnë apo t’i shajnë.

Qëllimi nuk janë këta! Qëllimi është zhvendosja e vëmendjes nga problemet reale që ka vendi.

Por, nëse shqiptarët e hanë sërish këtë, atëherë këtu nuk ka faj më rilindja, përkundrazi ka meritë! Ka të njëjtën meritë si partia mëmë, që për 45 vjet me dajre dhe kamzhik, ia shiti këtij populli sapunin për djathë!