10 masa të dobishme kundër Covid-19

Nga Erion DASHO,
mjek

Duke qënë se vazhdon debati i kotë mbi mbajtjen e maskave në rrugë dhe, nga ana tjetër, ministria dhe komiteti duket se nuk kanë ndërmend të hedhin hapa domëthënës në zbatimin e trinomit testo-gjurmo-trajto, po përmend disa masa që janë realisht të dobishme për kufizimin e përhapjes së COVID-19:

1. Kujdes i shtuar nga çdo person e familje. Në se një pjestar i familjes ka shenja që sugjerojnë për COVID, familja duhet të izolohet dhe brenda familjes, personi i prekur duhet të qëndrojë në dhomë më vete dhe të zbatohen masat e përkujdesjes për të prekurit me COVID në familje (shih statuset e mia të javëve të kaluara). Insistoni që të paktën një pjestar i familjes të kryejë patjetër testin COVID. Lajmëroni personat me të cilët keni patur kontakte gjatë ditëve të fundit për këtë situatë!

2. Respektim i distancës prej të paktën 2m si në mjedise të jashtme dhe të brendshme (si kur mbahet, ashtu edhe kur nuk mbahet maskë).

3. Respektim i distancës 2m sidomos kur bisedon me dikë! Mundohu që biseda të zgjatë sa më pak (idealisht nën 5 minuta) dhe mos flisni me zë të lartë!

4. Shmangni klubet e restorantet sa më shumë që të jetë e mundur! Kur vendosni të shkoni zgjidhni klube që respektojnë distancën midis tavolinave dhe karrigeve dhe mundohuni që t’i frekuentoni këto mjedise vetëm me familjarët me të cilët qëndroni në të njëjtën banesë.

5. Shmangni festat familjare dhe mundohuni që në raste hidhërimesh t’i dërgoni ngushëllimet me telefon ose nëpërmjet rrjeteve sociale.

6. Shmangni vizitat në miq dhe të afërm, sidomos kur këta janë prindër të moshuar, persona të prekur nga sëmundje kronike apo persona të tjerë që u përkasin grupeve në risk për COVID.

7. Shmangni çdo grumbullim! Këto ditë kur shohim të organizohen takime elektorale, u rekomandohet drejtuesve politikë dhe antarëve të partive politike të shmangin çdo takim elektoral në sallë duke i zëvendësuar këto me takime virtuale.

8. Shmangni përdorimin e transportit publik! Pavarësisht se çfarë pretendohet, nga pamjet dhe bisedat që bëj me kolegë e miq në Shqipëri, transporti publik është kthyer në vatër lëvizëse të transmetimit të COVID. Më mirë ecni se sa të ekspozoheni ndaj COVID në autobuz!

9. Në se i përkisni grupeve në risk (të moshuar, persona të prekur nga sëmundje të caktuara kronike, persona obezë, etj.) ju lutem lexoni statusin tim me rekomandimet e veçanta për këto kategori.

10. Kujdes me maskën! Në se është maskë njëpërdorimëshe, mos e përdorni më shumë se një ditë. Në se është maskë artizanale, lajeni çdo ditë! Mbajeni maskën me kujdes në çdo mjedis të brendshëm dhe mos kini turp t’i kërkoni kujtdo që ndodhet në të njëjtin mjedis ta mbajë maskën në mënyrë korrekte. Në mjediset e jashtme, mbajeni maskën kudo ku nuk mund të respektoni ditancën 2 m (megjithëse kushdo duhet të ketë kujdes të mbajë distancën, pasi distanca është ajo që mbron shumë më tepër se maska). Mbajeni maskën edhe kur keni mundësi të respektoni distancën (për të kursyer gjobën kësaj here )!
SITUATA E COVID KA DALË NGA KONTROLLI PREJ MUAJSH, POR TANI NË DISA QYTETE KA MARRË PËRMASA SHQETËSUESE!

NDIQNI KËTO RREGULLA DHE TË TJERA QË JU REKOMANDOJNË BURIME TË BESUESHME TË INFORMACIONIT PËR TË MBROJTUR VETEN, FAMILJEN DHE KOMUNITETIN TUAJ!