Vendimi Ramës për maskat/ Eksperti: Qeveria i lë barrën qytetarit dhe vetë heq dorë nga çdo përgjegjësi

Nga Erion DASHO

Ligji për mbajtjen e maskave në rrugë nuk solli asgjë të re në përafrimin e çoroditur shqiptar ndaj kontrollit të COVID-19.

Është po e njëjta tendencë ku qeveria i lë barrën qytetarit dhe vetë heq dorë nga çdo përgjegjësi.

  1. Qytetari është ai që përballon faturën e testimit madje me një kosto 100 euro për test, nga më të lartat në botë.
  2. Qytetari përballon koston e trajtimit në shtëpi që përllogaritet nga qindra deri mijëra euro për pacient.
  3. Qytetari ka blerë deri edhe pajisjet CPAP dhe BiPAP për familjarët e shtruar në spital.
  4. Qytetari ka përballuar vetë kostot ekonomike nga humbja e të ardhurave dhe vendeve të punës.
  5. Qytetari (prindi) po paguan jo vetëm për detergjentët dhe maskat, por deri edhe për testimin e mësuesve në shkolla e kopshte.

Sot, qytetarit i vendoset në shpinë një barrë e kotë, e pabazuar në evidenca shkencore dhe, me aq sa dimë deri sot, pa asnjë rol në kufizimin e përhapjes së virusit.

Mbajtja e maskave në mjedise të hapura mund të ketë rol vetëm në 2 ose 3 rrugë në Tiranë dhe Durrës, madje edhe aty mund të zgjidhet fare mirë me metoda të tjera.

A duhet mbajtur maska kur del për shëtitje në park, në breg të detit apo në mal?!

A duhet mbajtur maska nga fermerët që jetojnë në fshatra gjysmë të braktisur ku banorët i merr malli të shohin dikë të kalojë në rrugë?!

A duhet mbajtur maska në një qytet ku nuk ka transmetim aktiv të COVID?!

Këto janë analizat që duhet të bëjë komiteti dhe jo të vulosë përçartjet e vjeshtës së një administrate që deri tani ka bërë vetëm gafa!

Para se të vendosen gjoba për mosmbajtjen e maskës në rrugë, ka dhjetëra masa me efektivitet të provuar tashmë në vendet ku epidemia kontrollohet me veprime dhe jo me propagandë.

Stina e virozave ka nisur!

Nuk ka asnjë ditë kohë për t’u humbur!