Qeveria u vjedh mësuesve orët shtesë. Vokshi: PD në qeveri do të paguajë për sakrificën e mësuesve

• Qeveria u vjedh mësuesve orët shtesë. PD nxjerr llogaritë konkrete, Albana Vokshi: PD në qeveri do të paguajë për sakrificën e mësuesve
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ALBANA VOKSHI
Që prej nisjes së shkollës, 34 mijë mësues janë braktisur dhe lënë në mëshirë të fatit,megjithëse, ashtu si dhe mjekët janë në vijë të parë të betejës më virusin COVID19.
Të nënvlerësuar, të nëpërkëmbur dhe të keqtrajtuar qeveria i detyron të punojnë si skllevër, pa i paguar mësuesit për të gjitha orët shtesë të punës
Për shkak të pandemisë, i kanë detyruar të punojnë dyfishin e normës së tyre. Një mësues jep mbi 40 orë mësim në një javë në kushte të vështira, me maskë, me stres, pa kushtet minimale të sigurisë, pasi në shkolla nuk ka ujë, as dezinfektantë. Dhe në fund të muajit, mësuesit nuk paguhen për mundin e tyre.
Pavarësisht se kanë punuar 20 apo më shumë orë shtesë, ata paguhen vetëm për 5-6 orë, një shumë krejt e papërfillshme për lodhjen e madhe, duke qënë në rrezik konstant për shëndetin dhe jetën.
Shpreh keqardhje për Ministren e Arsimit, e cila, njësoj si paraardhëset, ka vendosur të mos i shërbejë arsimit, por propagandës së kryeministrit në ikje.
Ministrja e Arsimit po e mashtron opinionin publik si për pagesën e orëve shtesë të mësuesve, ashtu edhe për përmasat e përhapjes së COVID19 nëpër institucionet e arsimit shkollor apo parashkollor.
Faktet nuk të lënë të gënjesh.
Përllogaritja e orëve shtesë të mësuesve tregon realitetin e rëndë me të cilin përballen mësuesit. Punojnë mbi 20 orë shtesë në vështirësi të jashtëzakonshme, por paguhen maksimumi për 6 orë mësimi.
14 e më shumë orë të tjera shtesë në muaj zhduken pa u vlerësuar, sepse Edi Rama nuk do t’ia dijë për askënd që punon me djersën e ballit. Për kryeministrin në ikje, pazaret me oligarkët dhe klientët e qeverisë janë i vetmi prioritet.
Kosova është shembulli perfekt për të kuptuar kontrastin mes një qeverie që vjedh dhe një qeverie që punon,
Në Kosovë, qeveria atje ka shpërblyer me mbi 120 euro çdo mësues për vështirësitë e periudhës së pandemisë së COVID19 dhe ka certifikuar shkollat për sigurinë anticovid.
Në Shqipëri, qeveria në ikje jo vetëm nuk u ka dhënë një qindarkë shtesë mësuesve, por refuzon t’u paguajë edhe orët shtesë që ata janë detyruar të kryejnë nga mësimi me disa turne dhe që u takojnë me ligj.
Qeveria e Edi Ramës është e vetmja në Europë që i keqtrajton mësuesit, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në cilësinë e mësimdhënies.
Kjo situatë duhet dhe do të marrë fund në 25 Prill!
Mësuesit do të trajtohen me dinjitetin e duhur nga qeveria e Partisë Denokratike. Çdo orë mësimi do të paguhet! Mundi i tyre do të shpërblehet, në mënyrë që shkollat tona publike të kenë cilësinë më të mirë të mësimdhënies!