Basha: Taksistët një nga kategoritë më të prekura të krizës, Rama nuk ka rrugëdalje, përsërit të njëjtat premtime të pambajtura!

• Taksistët janë një nga kategoritë më të prekura të krizës nga pandemia me një xhiro që ka rënë deri në 30%.

• Trajtimi monopolist, taksa “Rama” për karburantin, trafiku i rënduar, problemet kryesore për tregun e taksive.

• Plani me 5 pika i PD ndihmon edhe taksistët. Po të heqë dorë nga aferat korruptive, qeveria ka mundësi të ndihmojë njerëzit.

• Për 7 vite nuk pati rritje pagash. Para një bilanci negativ, Rama nuk ka rrugëdalje, por përsërit të njëjtat premtime të pambajtura.

• Shqiptarët nuk presin të dëgjojnë premtime të tjera nga dikush që nuk i mban ato. Shqiptarët presin ndryshim për t’u larguar nga rruga e rrezikshme e krizës dhe e izolimit.

KOMUNIKIMI I KRYETARIT LULZIM BASHA ME GAZETARËT PAS TAKIMIT ME TAKSISTËT NË TIRANË

Pyetje: Cilat ishin shqetësimet kryesore që iu shprehën taksistët?

Lulzim Basha: Problemi kryesor që taksistët kanë është thellimi i krizës ekonomike që reflektohet në një rënie të madhe të numrit të pasagjerëve, pra të xhiros, u përmend një mesatare prej 30% e xhiros që kanë pasur përpara.
Pra, në përgjithësi këto ditë kam parë shumicën e bizneseve që kam vizituar, ka një rënie prej 50% të xhiros. Taksistët janë ndër sektorët më të goditur, edhe në kuptimin e turizmit që morën një goditje, por edhe në kuptimin e zbrazjes së xhepave të njerëzve që edhe kur kanë nevoja ekstreme, nevojën për të shkuar në spital apo kudo tjetër e kanë të pamundur të marrin taksinë.
E dyta, është një problem i vjetër i shkaktuar nga kjo qeveri, që është rritja e çmimit të naftës dhe të benzinës që është 240 lekë/litër, për shkak të vendosjes së një takse të padrejtë nga kjo qeveri prej 240 lekësh për çdo litër karburant.

Këtu i njoha me zotimin tim që është pjesë e planit tonë ekonomik, eliminimin e taksës “Rama” mbi karburantin e cila do të bëjë të mundur që karburanti shqiptar të vijë në nivele të ngjashme të çmimit të karburantit në vendet fqinj. Dhe kjo do të ndihmojë jo vetëm taksistët dhe transportin por do të ndihmojë në tërësi ekonominë sepse karburanti është gjaku i ekonomisë.
Taksistët e Tiranës kanë edhe një problem tjetër të jashtëzakonshëm që sa vjen e rritet që është trafiku. Natyrisht, ky është problemi i çdo qytetari të Tiranës dhe problemi juaj, është problemi i çdokujt.

Dhe në këtë kuadër përmendëm disa probleme që janë thelluar, siç është për shembull ajo që e konsiderojnë si shtimi i korsive të biçikletave, që sjell edhe rrezik për transportin edhe ngushton edhe arteriet e trafikut, Është problem edhe për biznesin sepse nuk kanë ku të parkojnë makinat dhe e kanë shumë të vështirë klientët potencialë që të parkojnë dhe të shkojnë në sipërmarrje.
Ajo që ngrejnë dhe që e dëgjoj kudo është se numri i përdoruesve i këtyre korsive të biçikletave është shumë i ulët, pra ka një përfitim të ulët dhe një kosto shumë të madhe qoftë për trafikun, qoftë për sipërmarrjen, qoftë për mungesën e parkimeve në kryeqytet.

Por problemi kryesor dhe më i madh që kanë është trajtimi i padrejtë që iu bëhet.

Ka një diferencim midis taksistëve që janë pronar të makinave të tyre dhe një trajtimi monopolist që iu bëhet disa faktorëve të tjerë në treg; kjo, çmimi i karburantit, trafiku i shtuar në qytet dhe fakti që iu është dashur të paguajnë detyrimet kokërr më kokërr, iu shkojnë 1.5-1.6 milionë lekë të vjetra në vit, ndërkohë që konsumi ka rënë i ka shtyrë në kufijtë e mbijetesës. Në kufijtë e mbijetesës do të thotë që mezi ia arrijnë të nxjerrin të ardhura në muaj mesatarisht sa një pagë minimale.

Këto probleme të taksistëve sot janë në fakt problem i gjithë sipërmarrjes së vogël. Ndaj dhe propozimi dhe plani ynë me 5 pika për këtë sektor, sektorin e biznesit të vogël parashikon një çek prej 1000 eurosh për 6 muajt e ardhshëm.

Nuk është një shumë marramendëse që nuk përballohet dot nga buxheti i shtetit, në qoftë se hiqet dorë nga vjedhja dhe shpërdorimi që vazhdon dhe sot që flasim me afera korruptive të përditshme edhe sipërmarrja mund të ndihmohet, edhe njerëzit që kanë humbur vendin e punës mund të ndihmohen me 160 mijë lek në muaj, edhe ata që rimerren në punë mund të ndihmohen duke i dhënë punëmarrësit që i rimerr në punë 200 mijë lek pëe t’i rimarrë në punë ata që është detyruar t’i heqë gjatë pandemisë, edhe pensionisti mund të përfitojë atë 20 mijë lekësh për të bërë shpenzimet shtesë të pandemisë.

Plani ynë me pesë pika për këto gjashtë muaj bën të mundur që para që sot shkojnë në xhepat e një grushti oligarkësh dhe në kontot bankare të tyre dhe i qeveritarëve që i ndajnë me ta të nxirren dhe të ridrejtohen aty ku ka nevojë sot më shumë shqiptari dhe ekonomia shqiptare.

Tek të papunët, tek sipërmarrja e vogël, tek biznesi në tërësi që është në krizë në tërësi, tek pensionistët dhe tek familjet në ndihmë ekonomike për të cilët kemi propozuar dyfishimin e dihmës ekonomike për gjashtë muajt e ardhshme.