Zhdukja e 3 të rinjve në Malësinë e Madhe, dyshohet se dy janë vrarë, për drogë apo për një femër?

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Vrith të Malësisë së Madhe ku tre persona rezultojnë të zhdukur që prej 3 Tetorit, por dy prej tyre mund të jenë vrarë. Familjarët kanë denoncuar zhdukjen e tre të rinjve, Vilson Pal Cutaj, Klement Nush Pepaj dhe Danjel Rrok Pepaj, të cilët janë kushërinj me njëri tjetrin.

Policia ka nisur kontrollin në zonat e thella për të bërë të mundur gjetjen e trupave, ndërsa dyshohet se Danjel Pepaj është i përfshirë në vrasjen e Vilson Cutaj dhe Klement Pepaj. Sherri mes tyre mund të ketë nisur për kultivimin e lëndës narkotike kanabis sativa, por ekziston edhe një tjetër histori që mund të ketë nxitur debatin mes të rinjve.

Klement Pepaj e ka kushëri shtetasin Vilson Çutaj, djali i dajës së babait, ndërsa Danjel Pepaj është kushëri me shtetasin Klement Pepaj duke qenë se gjyshërit e tyre janë djem xhaxhallarësh.

Ngjarja nisi dy ditë më parë ndërsa dyshohet se Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj kanë marrë peng Danjel Pepajn dhe e kanë rrahur për disa orë.

Më pas e kanë lëshuar dhe janë takuar në orët e pasdites në një lokal ku ka vijuar sherri. Danjel Pepaj mendohet se ka vrarë dy kushërinjtë dhe më pas ka kaluar kufirin drejt Malit të Zi përmes zonës kufitare malore në Malësinë e Madhe.

Ka dyshimet se edhe shtetas të tjerë janë të përfshirë në zhdukjen e dy kushërinjve Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj. Ndërsa vëllai i Vilsonit ka dhënë dëshminë për policinë duke thënë se sherri ka nisur për një femër, por policia po vijon hetimet duke u bazuar tek kultivimi i lëndëve narkotike.

Gjatë hetimeve, lokacioni i celularëve tregoi se një prej viktimave ndodhej në fshatin Bogë ndërsa tjetri në Razëm, por më pas nuk funksionoi më GPS në pajisjet celulare të tyre.

Më parë, kjo ngjarje u raportua nga gazetari Artan Hoxha, por nuk ka ende një njoftim zyrtar nga policia. /FaxWeb