Zvicra heq Kosovën nga lista e karantinës

Nga 28 shtatori, Kosova do të hiqet nga lista e karantinës në Zvicër. Zyra Federale e Shëndetit Publik ka përditësuar listën e vendeve me rrezik për koronavirusin. Britania e Madhe, Portugalia dhe Belgjika janë përfshirë në këtë listë ndërsa Kosova është hequr, njofton sda.ch.

Me ndryshimet e reja karantina është e detyrueshme për 59 shtete, regjione dhe bashkësi të shteteve nga 51 që ishin në 11 shtator. Lista e re do të hyjë në fuqi të hënën, 28 shtator. Kushdo që hyn nga një prej vendeve të rrezikut duhet të jetë në karantinë për dhjetë ditë.

Përveç Portugalisë, Belgjikës dhe Britanisë së Madhe, Zyra Federale tani ka shtuar në listë Danimarkën, Irlandën, Islandën, Slloveninë, Hungarinë dhe Marokun. Nga vendet në Lindjen e Mesme, Omani përsëri konsiderohet një vend me rrezik.

Lista përfshin gjithashtu zonat e Bretanjës në Francë, Ligurisë në Itali dhe shteteve federale të Austrisë së Epërme dhe Austrisë së Poshtme në Austri.

Ndërkaq, BAG ka nxjerrë nga lista dy vende të Evropës: Kosovën dhe San Marinon. Kosova prej më shumë se dy javësh ka një numër të ulët infeksionesh, konkretisht nën 60 në 100 mijë banorë. Ndërsa ditëve të fundit, ky numër ka rënë në 52.

Qeveria federale ka vendosur kriteret për vendet me rrezik në një rregullore: Këto janë vende në të cilat numri i infeksioneve të reja për 100,000 banorë në 14 ditët e fundit ka kaluar më shumë se 60.