Zbulohet skandali me listat e votuesve: Qeveria po zhvendos votuesit e opozitës nga QV pa dijeninë e tyre

Emisioni investigativ “BOOM” në Rtv Ora denoncoi mbrëmjen e kësaj të enjteje skandalin që po ndodh në vend pikërisht në kohën që partitë politike kanë ndezur motorët e fushatës elektorale.

Qytetarët e Tiranës po zhvendosen pa dijeninë e tyre në Njesi të tjera Administrative.

“Në datë 01.08.2020 rezultonte që ne banonim në Tiranë por me datë 19.09.2020 supozohej që ne të banonim në Vlorë. Nuk e di çfarë ka ndodhur, nuk ka qenë kërkesa jonë.”

“Jam banor i njësisë numër 9 që nga 1991. U futa te e-Albania duke kërkuar adresën time kur shikoj që më kanë kaluar në njësinë 11, në Laprakë.”

“Kam 15 vjet që jam i regjistruar këtu te njësia 7 në Tiranë dhe shkova të marr një certifikatë për djalin dhe më thanë nuk jeton këtu, je në Kashar.”

Edhe pse ligji në këtë rast është i qartë, se asnjë qytetar nuk mund të transferohet në një Njësi tjetër pa dijeninë dhe vullnetin e tij, në ballafaqim me punonjëset e Njësive Administrative qytetarët ndeshen me arrogancë.

Punonjësja e njësisë numër 7 Tiranë: Ti je në Kashar.

Qytetari: Kush më ka çuar në Kashar mua, kam 15 vjet këtu.

Punonjësja e njësisë numër 7 Tiranë: Unë paguhem të të sqaroj dhe ti duhet të bindesh, jo unë të flas… Nuk harxhoj frymën me ty se je i pabindur.

Zhvendosjet e banorëve nuk janë të rastësishme. Qytetarët me bindje të djathta largohen nga Njësite ku banojnë prej vitesh.

“Unë dhe familja ime jemi me bindje të djathta.”

“Jam i djathtë.”

“Bindja ime ka qenë gjithmonë e djathtë dhe do të jetë gjithmonë e djathtë.”
Dhjetra denoncime kanë mbërritur në redaksinë e emisionit “BOOM” për zhvendosjen që po i bëhet votuesve.

Në ditet në vijim, emisioni “BOOM” do të sjellë të tjera fakte dhe dëshmi.