Zanetti: Interi s’ka qenë asnjëherë në gjendje të bëjë ofertë për Messin

Zëvendëspresidenti i Interit, Javier Zanetti, ka thënë se zikaltrit nuk kanë qenë asnjëherë në gjendje të bëjnë ofertë për Lionel Messi, duke treguar se synimet e klubit janë të shesë futbollistë së pari.

Kohëve të fundit u përfol se Interi ishte në mesin e klubeve të pakta të interesuara për Messin, pas qëllimeve të argjentinasit për t’u larguar nga Barcelona.

Por Messi vendosi ta kalojë sezonin 2020/21 në Barçë, duke iu dhënë fund thashethemeve për të ardhmen e vet.

Zanetti konfirmon se Interi nuk është futur asnjëherë në bisedime për Messin dhe thotë se nuk është i habitur që bashkatdhetari nuk ka lëvizur vendi.

“Ne nuk kemi qenë asnjëherë në gjendje të bëjmë ofertë për Messin”, tha Zanetti për TyC Sports.

“Ne jemi në treg për të shitur së pari e pastaj për të blerë – duhet t’i respektojnë rregullat e ndershmërisë financiare. Nuk ia ka vlejtur të uleshim për bisedime me Messin”, nënvizoi ai.

“Dhe ai gjithmonë ka thënë se Barcelona është shtëpia e tij, familja e tij dhe është e drejtë që ai nuk lëvizi vendi”, shtoi ai.