WhatsApp po “than” tregun e telefonatave ndërkombëtare

FILE PHOTO: A man poses with a smartphone in front of displayed Whatsapp logo in this illustration September 14, 2017. REUTERS/Dado Ruvic/File Photo

Përdorimi i aplikacioneve të lidhura me internetin po ul me ritëm të shpejtë përdorimin e thirrjeve ndërkombëtare nga rrjetet celulare.

Të dhënat nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se në tremujorin e dytë të vitit, trafiku total i thirrjeve ndërkombëtare ra në 6.6 milionë minuta, 43% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Vitin e kaluar, volumi i thirrjeve ndërkombëtare pësoi tkurrje me 25% dhe ka arritur nivelet më të ulëta historike, megjithëse operatorët prej vitesh i kanë përfshirë në disa prej paketave mujore të komunikimit.

Rënia e trafikut të thirrjeve ndërkombëtare është një shembull tipik sesi interneti dhe aplikacionet Over the Top, si WhatsApp, Viber, etj., po e ndryshojnë mënyrën e komunikimit dhe të përdorimit të aparatit celular. Këto aplikacione po japin një efekt të ndjeshëm edhe në trafikun kombëtar të shërbimeve.

Për tremujorin e dytë, volumi i thirrjeve dalëse nga rrjetet celulare ra me 9.3%, ndërsa numri i mesazheve të shkruara pësoi rënie edhe më të thellë, me 43%. Rënia e trafikut të komunikimit direkt përmes rrjeteve është kompensuar nga një rritje e ndjeshme e konsumit të internetit, me 20% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Tendencat tregojnë se rrjetet celulare do të përdoren gjithnjë e më pak për marrjen e komunikimit direkt, sepse këto shërbime po zëvendësohen në një masë të madhe nga interneti. Tek telefonatat ndërkombëtare, që janë më të shtrenjta, kjo tendencë duket edhe më e shpejtë.

Tani sfida më e madhe për operatorët është përmirësimi i cilësisë së mbulimit të territorit me internet. Në fakt, mbulimi i territorit me rrjetin e gjeneratës së fundit 4G nuk është ende në nivele shumë të larta. Deri në fund të vitit 2018, mbulimi i territorit me 4G ishte vetëm 57%, ndërsa, sipas AKEP, për vitin 2019 shkalla e mbulimit u përmirësua në 73%.

Megjithatë, diferencat në shkallën e mbulimit të territorit me rrjet mes operatorëve janë të mëdha. Ndërsa jemi në pragun e kalimit në teknologjinë 5G, shifrat e mbulimit të territorit tregojnë se investimet në rrjetin 4G kanë qenë të pamjaftueshme. Shpeshherë, operatorët i përdorin gjeneratat e reja teknologjike si flamuj marketingu, por realiteti është se cilësia e ofrimit të shërbimit lë shumë për të dëshiruar, sidomos jashtë qendrave të mëdha urbane.