Vetëvrasjet në Sanatorium, lidhjet familjare dhe politike po mbulojnë me heshtje kriminale përgjegjësinë e qeverisë

Nga Bardh  SPAHIA

Me idenë se “çudia më e madhe në Shqipëri, 3 ditë zgjat”, qeveria heshti në mënyrë kriminale për ngjarjen e rëndë, të përsëritur në më pak se 3 javë në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Një pacient tjetër me Covid-19, në kushte të rënduara psikologjike, vrau veten, duke u hedhur nga katet e larta të spitalit 3 ditë më parë, e një i tretë u shpëtua pasi tentoi të njëjtin veprim, por qeveria po sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Të gjithë përgjegjësit për sigurinë e jetës së qytetarëve në spitale, heshtën. Studimet mbi COVID 19 kanë treguar, se sëmundja e rëndon gjendjen psikologjike të disa pacientëve, por qeveria jonë nuk mori asnjë masë për ta trajtuar këtë problematikë, kur u shënua vetëvrasja e pacientit të parë.

Askush nuk mori në analizë ngjarjen e parë të rëndë për të parandaluar të dytën dhe uroj të fundit. Por askush-ët kanë emër dhe mbiemër.

E para, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Në vend që të bënte transparencë për qytetarët, ajo u fsheh dhe nuk ka thënë asnjë fjalë, për asnjë për rastet e rënda të ndodhura.

E dyta, është Kryetarja e të ashtuquajturit Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli, mjekja psikologe që trajton Edi Ramën. Ajo nuk e mblodhi asnjëherë Komitetin për të diskutuar masat që duhen marrë për të parandaluar vetëvrasjet apo për t’u shërbyer më mirë qytetarëve me probleme psikologjike në spitalet COVID.

I treti është bashkëshorti i Rakacollit, Drejtori i Spitalit “Shefqet Ndroqi”, Perlat Kapisyzi. Pas ngjarjes së parë të rëndë, ai nuk mori asnjë masë për të shtuar në ekip, 1 apo 2 psikologë për t’u kujdesur për shëndetin mendor të pacientëve me COVID.

Neglizhencë? Paaftësi? Militantizëm i verbër!? Cilado qoftë, është e sigurtë që po veprohet me militantizëm, jo me profesionalizëm.