Trump: Nuk do ta falim Kinën për këtë murtajë që përhapi në botë

Ndërsa përballet me pandeminë brenda vendit, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara “të vënë Kinën para përgjegjësisë për veprimet e saj”, duke fajësuar Pekinin për përhapjen globale të COVID-19-ës. Në një fjalim para Asamblesë së 75-të OKB-së, President Trump u bëri jehonë shumë prej temave të fushatës së tij për t’u rizgjedhur, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, zakonisht një grumbullim masiv udhëheqësish botërorë me aktivitete intensive diplomatik, po zhvillohet virtualisht këtë vit.

Udhëheqësit i mbajtën fjalimet në distancë, përfshirë Presidentin amerikan Donald Trump.

“Ne do të shpërndajmë një vaksinë, do ta mundim virusin, do t’i japim fund pandemisë dhe do të hyjmë në një epokë mirëqenieje, bashkëpunimi dhe paqeje të pashembullt. Ndërsa shkojmë drejt kësaj të ardhmeje të ndritur, duhet të vëmë para përgjegjësisë vendin që e përhapi këtë murtajë nëpër botë: Kinën”, tha ai.

Zoti Trump akuzoi Pekinin se nuk kishte dhënë në kohë informacion për koronavirusin dhe se nuk kishte frenuar përhapjen e tij. Ambasadori kinez në OKB, Zhang Jun i hodhi poshtë akuzat, duke i quajtur ato “të pabazuara” ndërsa prezantoi Presidentin Xi Jinping, i cili kërkoi një përgjigje ndërkombëtare ndaj COVID-19.”Çdo përpjekje për politizimin e çështjes ose për stigmatizim duhet të hidhet poshtë. Për të përballur virusin, ne duhet të miratojmë masa kontrolli gjithëpërfshirëse dhe afatgjata”, tha ai.

Ndërsa kanë mbetur vetëm gjashtë javë deri në zgjedhje në Shtetet e Bashkuara, fjalimi i zotit Trump i bëri jehonë në pjesën më të madhe retorikës së tij të fushatës mbi Kinën.

Analistët thonë se kjo i bën udhëheqësit botërorë të shtrojnë pyetjen nëse vërejtjet e tij pasqyrojnë një pozicion të përhershëm apo të përkohshëm amerikan.

“Rezultati i zgjedhjeve do të ketë një ndikim të madh tek mënyra se si vendet e botës, si fuqitë e mëdha si Shtetet e Bashkuara dhe Kina, por edhe fuqi të tjera, angazhohen me njëri-tjetrin. A do të ketë një udhëheqje amerikane? A do t’u duhet t’i bëjnë ballë njëanshmërisë amerikane? Shumë nga këto do të varen nga përfundimi i zgjedhjeve dhe asnjë nga vendet e tjera nuk ka gjë në dorë në këtë drejtim”, thotë Jon Alterman, i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Duke vënë në dukje rritjen tensionit mes Uashingtonit dhe Pekinit, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha se bota duhet të shmangë “një luftë të re të ftohtë”.

“Po ecim në një drejtim shumë të rrezikshëm. Bota jonë nuk mund të përballojë një të ardhme ku dy ekonomitë më të mëdha e ndajnë globin në një ‘krisje të madhe “, secila me rregullat e veta tregtare dhe financiare dhe aftësitë e veta të internetit dhe inteligjencës artificiale,” tha ai.

Në fjalimin e tij të martën, zoti Trump gjithashtu tha se Shtetet e Bashkuara po luan rolin e saj historik “për vendosjen e paqes”, duke përmendur marrëveshjet e fundit përmes së cilave Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini normalizuan marrëdhëniet me Izraelin.

Ashtu si në fjalime të mëparshme në Asamble, Presindenti Trump u shpreh kundër globalizimit dhe theksoi moton e tij për politikën e jashtme “Amerika e para”, duke thënë se “vetëm kur të kujdesesh për qytetarët e tu, mund të arrish “bashkëpunim të vërtetë”.