Tirana përtej propagandës, tre probleme të pazgjidhura

Nga Marash LOGU

Më bie rasti në biseda të ndryshme të dëgjoj qytetarë, kryesisht jetojnë në qytete të tjera apo jashtë shtetit, të flasin për “sukseset” e Bashkisë Tiranë. Nuk i kundërshtoj dhe nuk debatoj me ta sepse po ta shohësh Tiranën nga Facebook-u i kryetarit të Bashkisë apo mediat “dashamirëse” me siguri edhe unë ashtu do të mendoja. Por, fatkeqësisht, ata që jetojnë, studiojnë apo punojnë në Tiranë nuk ndajnë të njëjtin mendim. Sepse ndryshe nga Facebook-u apo mediat, ata e prekin çdo ditë realitetin dhe ju duhet të përballen me jo pak probleme. Ndër këta qytetarë, që i prek dhe ndjen problematikat e përditshme të Tiranës, jam edhe unë. Mund të flisja për shumë probleme dhe secila prej tyre meriton vëmendje, por kam zgjedhur vetëm tre prej tyre që besoj se i bashkëvuaj me këdo që jeton, studion, punon apo thjesht i bie rasti të kalojë në Tiranë.

Së pari, Tirana duhet të jetë një ndër kryeqytetet e vetme në Evropë, por edhe më gjerë që përmes tij kalojnë ujërat e zeza në një lum të hapur. Një burim i frikshëm sëmundjesh dhe infeksionesh, që të detyron të mbyllësh hundët apo xhamin e makinës sa herë i kalon pranë. Në çdo vend të botës një lum mes përmes kryeqytetit do të ishte bekim dhe atraksion për turistët apo vizitorët, por në Tiranë është një mallkim i vërtetë. Një premtim i përsëritur, por i pambajtur deri më tani. Së dyti, personalisht çdo ditë kaloj të paktën një orë në trafik. Kush më pak e kush më shumë, por besoj të njëjtin problem e hasin të gjithë drejtuesit e mjeteve në Tiranë. Kësaj problematike i shtohen edhe korsitë e biçikletave, të cilat i kanë ngushtuar rrugët duke i bërë edhe më të ngarkuara dhe më të pakalueshme. Shtuar këtu edhe rrugët që dihet kur fillon rikonstruktimi, por nuk dihet data e përfundimit të punimeve. Edhe për këtë problem kaq të ndjeshëm, Bashkia nuk duket të ketë menduar asnjë zgjidhje. Së treti, një ndër zgjidhjet që mund të lehtësonte trafikun mund të ishte transporti publik.

Por, në fakt kujtdo që i ka rënë rasti të marrë urbanin për të shkuar nga një pikë e Tiranës në tjetrën ka parë kushtet skandaloze të urbanëve, tejmbushjen e tyre, vonesat e pakuptimta, çorientimin total e deri në arrogancën e pashoq të fatorinove/shoferëve. Një keqfunksionim i tillë i bën qytetarët të refuzojnë përdorimin e transportit urban, duke përdorur mjetet e tyre private, ç’ka e shton numrin e mjeteve në qarkullim, rrjedhimisht edhe trafikun. Asnjë nga problematikat e mësipërme nuk është e re. Përkundrazi. Ato kanë vite që artikulohen dhe vijnë si premtime në fushata elektorale.

Veçse prej pesë vitesh kemi parë shumëçka nga kryebashkiaku i Tiranës, por asnjë zgjidhje për këto probleme. Unë nuk kam nevojë të shoh Facebook-un apo mediat për të parë punën “e mirë” që po bëhet në Tiranë. Atë mund ta shoh dhe ta ndjej çdo ditë. Deri më tani kam ndjerë aromën e tmerrshme të Lanës, kam humbur nga një orë në ditë në trafik dhe përdorimi i urbanëve më është dukur një torturë e pafund. Prandaj, çdo mik apo të njohur, që jeton jashtë Tiranës apo Shqipërisë, do ta ftoja ta vizitonte të paktën njëherë Tiranën përtej propagandës. Jam i bindur që do të ishte plotësisht dakord me mua.