Tensionohet situata në Ballsh! Naftëtarët tentojnë të futen me forcë në uzinë, ndërhyn policia

Ashtu siç paralajmëruan tre ditë më parë, naftëtarët e Ballshit kanë vijuar me përshkallëzimin e protestës këtë të hënë.

Ata tentuan të futen me forcë në uzinë. Para dyerve të rafinerisë është vendosur një kordon policie.

Kërkesat e tyre mbeten të njëjta.Tu shlyejnë detyrimet e prapambetura dhe pastaj të mbyllin rafinerinë, ose të nisë puna në uzinë por me kontratë.

Naftëtarët kishin arritur një dakordësi me kompaninë Allum Enterprises për rifillimin e punës, por ata thonë se u kanë dhënë vetëm një letër pa firmë e vulë.

Kjo fundjavë ishte afati për nënshkrimin e kontratave dhe kalimin e një page, por sipas tyre premtimi nuk u mbajt ndaj nisën protestat.

Rafineria në Ballsh ndërpreu punën vjeshtën e kaluar, pasi shoqëria që e administronte në atë kohë u akuzoi Bankers Petrolium se nuk e furnizonte me naftë bruto.

Prej asaj kohe naftëtarët mbeten pa punë dhe në vazhdimësi kanë protestuar dhe zhvilluan një grevë urie për pagat e prapambetura dhe rinisjen e punës.