Studentët i futen në zyrë Veliajt: Vrave Ardit Gjoklajn, na mashtrove për kartat e studentit, ku janë abonetë…

Një grup aktivistësh të Lëvizjes për Universitetin kanë demaskuar në zyrën e tij Kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili ka humbur durimin dhe është detyruar t’i nxjerrë jashtë zyrës, pa mundur të përgjigjet për akuzat që i janë bërë.

“Karta e studentit është dështim total, nuk përfitojmë asnjë gjë. Nuk përfitojmë as uljen e çmimit të librave të shkollës. Po abonetë e studentëve ku i keni? Janë 100 mijë studentë dhe ka vetëm 10 mijë abone.

Ne nuk përfitojmë asnjë gjë nga karta e studentit, asnjë kafe”, iu drejtua një prej të pranishmëve Erion Veliajt, i cili u shqetësua shumë kur pa se biseda dhe takimi po regjistroheshin.

“Nuk është etike që biseda të regjistrohet, ju kam ftuar si miq”, i tha Veliaj, të pranishmit, i cili iu përgjigj “unë s’jam miku yt, ky është takim armiqësor jo miqësor. Je përgjegjës për vrasjen e Ardit Gjoklajt, premtove që nuk do të betonizoje Tiranën dhe e mbushe plot pallate. Kjo që bën ti është propogandë”.

Në një pozitë të vështirë, Veliaj tha se duhej të dilnin nga zyra, por në përgjigje, një tjetër i pranishëm i tha “nga zyra duhet të dalësh ti, sepse kjo është zyra e qytetarëve”.

Ndoshta kjo është hera e parë që Kryebashkiaku i Tiranës nuk mundi të kontrollojë një takim dhe më pas duke përdorur zyrën e tij të shtypit të vijojë propogandën e kuruar me kujdes.

Ndonëse e nisi takimin duke u viktimuzuar sikur çdo punë e tij politizohet ose sjell reagime, brenda pak sekondash, biseda i doli jashtë kontrollit, gjë që tregohet edhe nga video e mëposhtme, ku ai shfaqet i tensionuar.