Situata e rëndë nga Covid-19/ Çudit Pipero: Nuk më shqetësojnë shifrat ditore…

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero tha mbrëmjen e sotme se shqetësim nuk përbëjnë rastet, por numri i pacientëve në spitale dhe gjendja e tyre shëndetësore.

“Çështja është që të parandalojmë infektimin dhe jo nëse kemi apo nuk kemi kapacitete. Kam kërkuar që të mos veprojmë me praktikat Covid1, Covid2, Covid3 apo Covid4, por të vihen në punë spitalet rajonale, të jenë në veprim, për të përballuar më mirë koronavirusin.

Të vemë në shfrytëzim të gjitha kapacitetet, pasi ne do të bashkëjetojmë gjatë me këtë virus. Kjo pandemi besoj se do të vazhdojë edhe për 18 apo 24 muaj”, tha Pipero.

Sipas tij, situata aktuale tregon se ka një larmishmëri të moshave që po preken nga Covid-19.

“Ka pacientë me mosha të ndryshme, nga moshat e reja te ato të treta. Është një virus me shumë të panjohura, nuk e dimë ende burimin e infeksionit, si kaloi te njeriu dhe si u përhap.

Nuk ka respektuar ligjet e viruseve respiratore, përfshi këtu edhe temperaturat e larta të motit. Nuk kemi ende një medikamend efektiv ndaj Covid-19, ndërsa jemi në pritje të një vaksine.

Duhet të ruajmë distancat fizike, të mbajmë maskë dhe të ruajmë higjenën deri në daljen e një vaksine. Situata në Shqipëri vijon të mbetet e njëjtë përgjatë dy muajve”, tha Pipero në emisionin Arena.