Si “qen i rrahur”, por me kokën lart!

Nga Red VARAKU
 
Tërheqja nga listat e hapura është prova me e qartë, që Edi Rama po e përdor të gjithë tymnajën për reformën zgjedhore, jo vetëm për të larguar vëmendjen nga korrupsioni dhe dështimet spektakolare, por kryesisht për të fshehur të vërtetën e madhe, që kjo reformë përfaqëson në vetvete.
 
Faktin e pamohueshëm tashmë, që kjo reformë është akti i parafundit i projektit perëndimor për tranzicionin e pushtetit në Shqipëri me zgjedhje të lira.
 
Një projekt i mirëkoordinuar, që nisi fillimisht me publikimin e përgjimeve, vazhdoi me protestat masive, kulmoi me djegjen e mandateve dhe mori formë përfundimtare me bojkotin e zgjedhjeve lokale dhe bllokimin e integrimit.
 
Pra, në mënyrë që situata të mos degradonte në përplasje civile në 30 qershor, pasi shqiptarët e panë me sytë e tyre se si ky njeri kishte vjedhur dhe trafikuar vullnetin e tyre në bashkëpunim me krimin e organizuar, faktori ndërkombëtar hyri vetë garant për një zgjidhje politike të krizës shqiptare, e cila në fakt ishte dhe detyra e parë që iu ngarkua ambasadores amerikane Yuri Kim.
 
Bllokimi i integrimit vjet në tetor, nuk ishte gjë tjetër, vetëm se një presion i hapur dhe i drejtpërdrejtë i perëndimit kundër qeverisë Shqiptare, që kjo e fundit të pranonte Këshillin Politik , si instrument për zgjidhjen e krizës.
 
Gjithashtu edhe 15 kushtet e vendosura mbi qeverinë Shqiptare, ku kushti kryesor është reforma zgjedhore dhe zbatimi i saj, nuk janë gjë tjetër vetëm se një paralajmërim i qartë për kryeministrin Shqiptar.
 
Pra, Rama u detyrua ta pranojë këtë Këshill nëpërmjet “dajakut” perëndimor, i cili prodhoi dhe produktin e saj të parë, e cila ishte dakortësia e pesë qershorit, që mori dhe vulën e vetë Sekretarit Amerikan të Shtetit dhe u përshëndet nga nivelet më të larta të përfaqësimit në BE.
 
Them u detyrua sepse kush më mirë se ai e di që kjo dakortësi i shtronte rrugën zgjedhjeve të lira të cilat do të monitorohen rreptë nga SHBA dhe BE si garantë të saj, por edhe ngaqë zbatimi i kësaj reforme është dhe kusht për integrimin.
 
Vendimi i Ramës për shkeljen e kësaj marrëveshje në fakt i befasoi të gjithë. Së pari, për pabesinë e madhe ndaj një marrëveshjeje që u arrit pas gjashtë muajsh dhe së dyti, për guximin që një kryeministër i vërtetuar si hajdut po shfaqte kundër vullnetit perëndimor.
 
Por, e gjitha kjo kishte qenë një mashtrim ,sepse modeli i listave të hapura-të mbyllura që ai po propozon, zbulon edhe për më naivët hipokrizinë e tij dhe zagarëve të tij besnikë për lista të hapura në interes të qytetarëve, ndërsa nuk ka asnjë shans të ndalojë koalicionet një vit para zgjedhjeve, sepse ekspertët e drejtësisë shprehen se koalicionet nuk preken, qoftë edhe me ndryshimet kushtetuese të bëra në 30 korrik.
 
Me këtë aventurë boshe, ai jo vetëm që dështoi, por e gjitha kjo po i kthehet në bumerang, sepse me këtë që po bën, ai po zbulon pafuqinë dhe hipokrizinë e tij, duke i bërë një shërbim të jashtëzakonshëm opozitës, e cila sot ndodhet në pozita shumë komode vetëm për shkak të tij.
 
Kjo që po bën deri tani, është një përpjekje për të shfokusuar vëmendjen nga hallet e perditshme të shqiptarëve, si dhe nje përpjekje për të mbajtur me gajret të vetët, nëpërmjet dhënies së idesë se i ka akoma të forta lidhjet me ndërkombëtarët.
 
Por, vetë ai e ka të qartë që fundi i tij është vulosur dhe është i pashmangshëm. Kjo sepse ai nuk ka asnjë shans të sfidojë autoritetin e Sekretarit Amerikan të Shtetit dhe autoriteteve më të larta të BE, sepse e ka të qartë se si përfundon dhe ku përfundon, ndaj dridhet e spërdridhet si “qen i rrrahur”, por me kokën lart.