Shaqiri do të largohet nga Liverpooli, ja ku mund të shkojë

“Reds” madje thuhet se po i presin ofertat për futbollistin kosovar që nga janari i këtij viti. Nga ana e tij, përfaqësuesi zviceran e preferon më shumë qëndrimin në “Anfield Road”

Liverpooli është i gatshëm ta shesë Xherdan Shaqirin. Madje, sipas mediumit britanik “The ECHO”, “Reds” ishin të hapur për shitjen e futbollistit kosovar që nga muaji janar të këtij viti.

28 vjeçari ka kontratë me kampionin e ri anglez deri në vitin 2023. Raportet që vijnë nga Anglia thonë se Liverpooli synon ta shesë përfaqësuesin zviceran për të grumbulluar sadopak para.

Nga ana e tij, ish-futbollisti i Baselit, Bayern Munichut, Interit dhe Stoke Cityt nuk dëshiron të largohet nga “Anfield Road”.

Megjithatë, trajneri Jurgen Klopp nuk llogarit më në shërbimet e mesfushorit ofanziv, prandaj ai mund të largohet nga Liverpooli.

Të Kuqtë shpresojnë t’i nxjerrin së paku 25 milionë euro nga shitja e majtakut të rrezikshëm.

Për Shaqirin flitej se interesim ka shfaqur Galatasaray.

Mirëpo, futbollisti nga Zhegra e Gjilanit preferon të vazhdojë të luajë në futbollin anglez.