Saviano: Klanet e Tiranës dhe Shkodrës kontrollojnë drogën në Romë

Atentati ndaj një 38-vjeçari shqiptar në plazhin e Torvaianica në periferi të Romës ka tërhequr një vëmendje të madhe në shtypin italian. Bëhet fjalë për Selvadi Shehajn që u qëllua të dielën me 2 plumba në plazh nga një person ende i paidentifikuar. Shqiptari ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Për shkak se Shehaj sapo ishte liruar në arrest shtëpie pasi kishte bërë 2 vjet e gjysmë burg për trafik droge (iu gjetën 5 kg marijuanë) të gjitha hetimet janë përqendruar në këtë drejtim dhe dosjen e ka marrë në dorë anti-mafia e Romës.

Komentet kanë qenë të shumta, por ka tërhequr vëmendjen ai i publicistit Roberto Saviano, një emër që e njohin të gjithë për dëshmitë që ka bërë prej vitesh për mafian italiane. Në një koment të gjatë të publikuar në mediat italiane të quajtur “Mesazhi i Mafias që qëlloi në plazhin e Romës”, Saviano thotë se grupet kriminale shqiptare tashmë janë bërë mjaft të fuqishme në kryeqytetin italian.

Saviano thotë se përgjithësisht grupet mafioze italiane të Camorra dhe Ndragheta kanë qenë të kujdesshëm në Romë për të mos derdhur gjak në kryeqytet. Teksa në jug ka mbizotëruar shprehja “zona nostra” (toka jonë) ku mund të eliminoje nga polici më i thjeshtë deri te prokurorët dhe gjykatësit, në Romë mafiozët kishin një lloj kodi që përmblidhej me shprehjen “mos qëllo aty ky ha”. Por atentati i fundit ndaj shqiptarit 38-vjeçar, sipas Savioanos tregon se edhe Roma është kthyer në një “zona nostra”. Saviano thotë se vitet e fundit ka pasur një zhvendosje të klaneve mafioze.

“Tani Roma është bërë “zona nostra”. Për pak kohë kryeqyteti ka përjetuar një krizë të rëndësishme kriminale. Dinamika është shumë e qartë. Historikisht, organizatat e mëdha kriminale që sunduan mbi Romën – në dekadat e fundit kalabrezët dhe Kamorra napolitane dhe kazaleze – gjithmonë u kanë lënë rolin e kontrollit të rrugëve klaneve lokale (të tilla si Casamonica, Spada në Ostia, por edhe Piscitelli…). Kjo strukturë lejoi Ndrangheta, Camorra dhe Cosa Nostra të kufizoheshin në koordinimin e punëve pa pasur nevojë të merreshin drejtpërdrejt me çështje armësh.

Tani Piscitelli u eliminua, Carminati u ndalua tani për tani te fuqia e tij kriminale edhe pse në vëmendjen e medias ai shihej si “star”, megjithëse ishte nga nivelet e ulëta. Grupet mafioze të jugut (Napolit dhe Palermos) kanë ende të pacenuar fuqinë mbi Romën.
Carminati, Diabolik, Spada… visheshin si mbretër, por ata ishin vetëm mblesë. Sot fuqia e tyre po kalon në familjet mafioze shqiptare. Duke u bërë shumë të fuqishëm pas pranisë së tyre prej dekadash, sot përcaktohen si mafia e re romane. Ata janë operacionalisht të efektshëm sepse mund të mbështeten në lidhje të shumta dhe të ngushta familjare.

Atentati në Torvaianica ishte, në fakt, kundër një të riu shqiptar me histori droge. Klanet e Tiranës dhe Shkodrës drejtojnë drejtpërdrejt në sheshet e Romës, kontrollojnë ngarkesat dhe kanë një rol të privilegjuar ndërlidhjeje me kartelet historike kalabriane dhe të Campanias, të cilave u ofrojnë marihuanë me çmime të pakrahasueshme, duke mbajtur monopolin e këtij trafiku” – shkruan Saviano.