Rrëmbehet drejtuesja e opozitës në Bjellorusi, tre persona e fusin me forcë në…

Në Bjellorusi, persona të maskuar të paidentifikuar ndaluan të hënën në qendër të Minskut udhëheqësen e njohur të protestave Maria Kolesnikova dhe e morën atë me një furgon, sipas një dëshmitari të cituar nga media bjelloruse Tut.By.

Zonja Kolesnikova, anëtare e këshillit koordinues të opozitës, është e fundit nga tre politikanet gra të mbetura në Bjellorusi, të cilat bashkuan forcat para zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit për të sfiduar Presidentin Alexander Lukashenko.

Si kritike e zëshme e zotit Lukashenko, ajo ka luajtur rol të rëndësishëm në demonstratat dhe grevat e mëdha që kanë vazhduar prej javësh, në të cilat protestuesit akuzojnë zotin Lukashenko për manipulimin e rizgjedhjes së tij.

Ai mohon se ka patur manipulime dhe ka akuzuar fuqitë e huaja se janë përpjekur ta rrëzojnë me revolucion.

Zoti Lukashenko ka mbështetjen e Presidentit rus Vladimir Putin, i cili ka premtuar të dërgojë policinë për ta mbështetur nëse është e nevojshme.

Rrëmbimi i zonjës Kolesnikova, nëse konfirmohet, vjen ndërkohë që autoritetet bjelloruse duket se po i shtojnë përpjekjet për ndalimin e protestave dhe për të penguar punën e këshillit koordinues që ata e kanë akuzuar se ka komplotuar për rrëzimin e Lukashenkos.

THIRRJE E GJERMANISË

Gjermania i bëri thirrje Presidentit Lukashenko të hënën për të sqaruar se çfarë ka ndodhur me udhëheqësen e protestave Kolesnikova.

“Jemi shumë të shqetësuar për zonjën Kolesnikova. Ne kërkojmë sqarime për vendndodhjet dhe lirimin e të gjithë të burgosurce politikë në Bjellorusi,” tha Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas në komentet e postuara nga ministria e jashtme.

Gjermania, e cila aktualisht mban kryesinë e radhës të Bashkimit Evropian, po punon “me shpejtësi të plotë” për një paketë sanksionesh të BE-së kundër udhëheqësve në Bjellorusi, shtoi zoti Maas.