Rindërtimi i banesave të tërmetit/ Rama përze turqit për t’ia dhënë tenderin 20 miliardë lekë Gjicit

Tri kompani turke, të cilat u shpallën fituese të tenderit 20 miliardë lekë (të vjetra) për rindërtimin e banesave individuale të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, nuk arritën të paraqesin brenda afatit ligjor sigurimin e kontratës prej 15%, duke mos arritur të finalizojnë bashkëpunimin me Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

Skualifikimi i tyre i hapi rrugën konkurrentit të dytë, një bashkim operatorësh i drejtuar nga “Kevin Construction”, e themeluar nga Safet Gjici, kryetari socialist i Bashkisë së Kukësit dhe që aktualisht është në pronësi të vëllait të tij, Lavdrim Gjici. Fondi Shqiptar i Zhvillimit njofton se bashkimi i kompanive turke “Kaplan Cam Aluminyum”, “Prefabrik yapi” dhe “Besgen Muhendislik”, paraqiti ofertën më të mirë në lotin e parë të tenderit, i cili në total shkon në shifrën e mbi 6 miliardë lekëve të rinj.

Por, pas shpalljes së renditjes së konkurrentëve, kompanitë turke nuk arritën të dorëzonin sigurimin e kontratës, duke tejkaluar në këtë mënyrë edhe afatin ligjor për nënshkrimin e saj. Në këto kushte, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka vendosur që të nënshkruajë kontratën me konkurentin e renditur të dytin në radhë, i cili është një bashkim 4 operatorësh shqiptarë, të udhëhequr nga “Kevin Construction”.

Kompania, e cila udhëheq bashkimin e operatorëve fitues të tenderit 20 miliardë lekë (të vjetra me TVSH), është krijuar në vitin 2006 nga biznesmeni Safet Gjici, aktualisht kryetar i Bashkisë së Kukësit.

Kompania ka marrë emrin e djalit të vogël të Gjicit, i cili ka lindur në të njëjtin vit që ajo është krijuar dhe regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB). Në 27 Mars 2014, kryeministri Edi Rama e emëroi Safet Gjicin në detyrën e Prefektit të Qarkut të Kukësit.

Një ditë më pas, në 28 Mars 2014, Safet Gjici vendos t’ia dhurojë 100 përqind të aksioneve të kompanisë vëllait të tij, Lavdrim Gjici, për shkak të ndalimeve të parashikuara në ligjin për Konfliktin e Interesave./SYRI TV