Shifra skandaloze, buxhetit të shtetit ju vodhën 375 milionë euro nga evazioni i lojërave të fatit në dy vjet

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, SEKRETARI PËR ÇËSHTJET LIGJORE, ÇLIRIM GJATA

Një ngjarje shumë e rëndë ka ndodhur këtë javë në Shqipëri. Nën panikun e humbjes së thellë që e pret, Edi Rama shkelur me të dyja këmbët një premtim që ju bëri shqiptarëve se nuk do të lejonte që lojërat e fatit të shkatërronin mijëra familje dhe jetë njerëzish.

Në fshehtësi ai ka miratuar një VKM që i hap rrugë përsëri biznesit kriminal të lojërave të fatit në zemër të kryeqytetit. Pasi gënjeu se do ti mbyllte ato përfundimisht, ai po kërkon të përdorë dhe pastrojë paratë e krimit nëpërmjet kazinove dhe lojërave të fatit.

Pse ky është një biznes i pisët i Edi Ramës? Ja ku i keni faktet që shqetësimi i Edi Ramës nuk janë familjet shqiptare, por paratë që i duhen në ortakëri me krimin:

Gjatë qeverisjes së tij, nga 920 pika të lojërave të fatit ato u katërfishuan në 4200. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, vetëm në dy vjet, 2014 -2016, buxhetit të shtetit ju vodhën 375 milionë euro nga evazioni i lojërave të fatit.

Kjo shpjegon se pse edhe më parë Edi Rama premtoi se do ti mbyllte lojërat e fatit në 2016 dhe pikërisht në prag të zgjedhjeve të 2017 i shtyu ato edhe 2 vjet ato me gënjeshtrën qesharake se nuk i bindte dot deputetët e tij.

Dhe ja ku e nxori përsëri kokën. Akoma pa u tharë boja e vendimit për mbylljen e lojërave të fatit, ai i rihap ato, duke u tallur me dramën e atyre mijëra familjeve të cilat i mashtroi me premtimin e thyer se do ti jepte fund një plage të madhe sociale.
Tani të gjithë e kanë të qartë se ortakëria e Edi Ramës me krimin e organizuar dhe paratë e pista është shumë më e fortë se cdo premtim që ju ka bërë qytetarëve.

Kjo prerje në besë e atyre mijëra familjeve para të cilave u zotua, ky vendim kriminal duhet të hetohet menjëherë nga SPAK-u si rasti tipik i kapjes së shtetit.

Faktet sic i dëgjuat dhe i patë vetë me zë dhe me figurë, flasin vetë.