Revolucioni ekonomik që premton Lul Basha

Nga Red VARAKU

Lulzim Basha shpalli piketat kryesore të programit ekonomik të qeverisë së tij, të cilat synojnë një revolucion ekonomik për të nxjerrë vendin nga kriza e thellë ku e ka futur modeli aktual i korrupsionit dhe filozofia e rilindjes.

Këto piketa adresojnë problemin më të madh të qeverisë aktuale, që është varfërimi i qytetarëve dhe kthimi i tyre në skllevër të një pakice, për shkak të vjedhjes dhe abuzimit të fondeve publike.
Shkurt, nëse programi ekonomik i rilindjes kishte si objektiv transferimin e parave publike në duart e pak njerëzve, programi ekonomik i shpallur nga Basha, synon ritransferimin e këtyre parave sërish tek qytetarët.

Nëpërmjet skemës së rilindjes të taksimit progresiv dhe taksave të larta për biznesin, paratë publike përfundonin në duart e qeverisë, e cila më pas mendonte se si këto para t’i transferonte në duart e një pakice.

Kjo skemë prodhoi dhe situatën ku ndodhet sot ekonomia shqiptare ku një pakicë e vogël administron miliarda euro dhe ku hierarkët e pushtetit gëzojnë para dhe privilegje më të mëdha se vetë biznesmenët.

Kjo skemë varfëroi shumicën e shqiptarëve duke e kthyer qeverinë në administratorin kryesor të të ardhurave publike dhe duke i kthyer qytetarët në skllevër të kësaj qeverie.

Skema ekonomike që propozoi Lulzim Basha bën pikërisht të kundërtën e skemës së rilindjes. Nëpërmjet taksimit të sheshtë 9%, heqjen e të gjitha taksave për biznesin e vogël me xhiro nën 140 milion lekë të vjetra dhe vendosjen e një takse simbolike 0,5 %, paratë e qytetarëve mbeten në xhepat e qytetarëve dhe nuk përfundojnë në duart e një pakice, që më pas mendon vetëm si t’i vjedhë ato.

Kjo skemë e propozuar do t’i heqë mundësinë zyrtarëve të korruptuar të adiminstrojnë paratë e qytetarëve, dhe do t’ia rikthejë këtë mundësi sërish vetë qytetarëve, duke i kthyer ata, nga skllevër të vullnetit të një pakice në zotër vullnetit të tyre.

Skema e re që propozon Lulzim Basha do të dobësojë zyrtarët dhe do të fuqizojë qytetarët, sepse nëpërmjet këtij mekanizmi, ata do të kenë më shumë para në duart e tyre dhe sigurisht do t’i investojnë më mirë paratë e tyre, sesa po i investojnë tani zyrtarët e korruptuar të rilindjes.
Në parim, kjo skemë ekonomike e propozuar nga opozita nuk është një shpikje e re. E majta në pushtet historikisht ka shkatërruar tregun e lirë, sipërmarrjen private dhe ka prodhuar vetëm varfëri, ndaj përgjigja e së djathtës ka qenë gjithmonë një program për ringjalljen e tregut të lirë dhe sipërmarrjes private me qëllim pasurimin e qytetarëve.

Në thelb të këtij programi qëndron besimi tek mrekullia e kapitalizmit dhe besimi tek parimi më i rëndësishëm i të djathtës, për një shtet të vogël , treg të lirë dhe taksa të ulëta, që bazohet tek postulati “Qeveria nuk është zgjidhja. Qeveria është problemi”. Një filozofi që nuk vendos qeveritarët në qendër, por vendos qytetarët.

Kjo sepse qytetarët i administrojnë më mirë paratë e tyre sesa qeveritarët.

Fjala vjen nëse një sasi parash e mbledhur nëpërmjet taksave, i lihet nën administrim zyrtarëve të shtetit, ata nuk do të bëjnë plan tjetër, përveç planeve për të përvetësuar çdo qindarkë të këtyre parave, nëpërmjet tenderave fiktivë, konçesioneve të pakërkuara apo formave të tjera korruptive.
Pra, në vend që të injektohen në ekonomi, ato do të përfundonin në xhepat e oligarkëve dhe zyrtarëve të korruptuar dhe do të shndërroheshin në vila, jahte, orendi dhe stoli me vlera të paimagjinueshme.

Këto janë të ardhura që vijnë nga taksat e qytetarëve, të cilat nëse do t’i mbeten qytetarëve, nëpërmjet piketave të propozuara, do të riinvestohen në mënyrë më të kujdeshme dhe më të studiuar, duke rritur bizneset dhe duke hapur vende pune të reja, sepse natyrisht ata nuk mund të vjedhin vetveten.

Kësisoj, kjo qasje ndaj ekonomisë do të sjellë pasurimin e qytetarëve, hapjen e vendeve të reja të punës, rritjen e rrogave, rritjen e shtresës së mesme dhe për pasojë rritjen e mirëqenies.
Ndaj, modeli ekonomik që propozon Lul Basha shkon absolutisht kundër status quos së modelit korruptiv të deritanishëm.

Në thelb, ky model është një terapi agresive, që jo vetëm do të asgjësojë të gjitha metastazat e kancerit rilindas, por njëkohësisht do të shërojë përfundimisht plagët në trupin e lodhur të Shqipërisë, për ta rikthyer atë sërish në një ekonomi konkuruese në rajon e më gjerë.