Revolta/ Naftëtarët e Ballshit priten në besë nga qeveria Rama: Ta dimë që vdesim, nuk presim njeri përveç…

Premtimi që iu dha naftëtarëve të Ballshit për të marrë pagat dhe për të rinovuar kontratat rezultoi gënjeshtër. Ata janë mbledhur sërish sot dhe shprehen se, nuk do të lëvizin prej aty derisa të flasin me Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Duke folur para medieve, naftëtarët thonë se do të mblidhen të hënën për të mbajtur një protestë dhe nuk do të lënë asnjë person nga kompania që të futet brenda.

“Është i 7 pronar që vjen dhe tallet me ne. Në rast se ministrja nuk reagon, kërkojmë të gjitha pagat tona që i kemi me vendim gjyqi të prapambetura. Unë nuk jua uroj një revoltë të dytë. Të hënën nuk do të hyjë askush këtu nga kompania Allumi. Ta dimë që ditën e martë vdesim, asnjë nuk presim këtu përveç ministres”, thotë një naftëtar.

Një tjetër shprehet se ndonëse morën një premtim, nuk i është hedhur asnjë pagë deri tani ndërsa i bën thirrje kolegëve që të mblidhen të hënën pasi sipas tij, varet fati i fëmijëve të tyre.

Ndërsa një naftëtar tjetër thotë: “Ditën e premte na thanë që do na hedhin rrogat. Kemi lënë që të na jepnin lekët e prapambetura, por nuk shikoj dritë jeshile për këtë. Jemi mbledhur këtë dhe nuk shohim as firmë, as zonjën ministre, asgjë. Domethënë e kanë deklaratë në media dhe jam bërë si gjellë pa kripë por halli më ka detyruar të vij këtu. Këta nuk kanë gjë në vijë. I bëjmë thirrje ministres që të na kthejë lekët dhe të hapë rafinerinë”.

Nuk kanë munguar edhe tonet e ashpra teksa një naftëtar shprehet për kamerën e Fax News: “Nuk mban më hesapi jonë. Ditën e hënë nuk mund të hyjnë më brenda, nuk kanë fytyrë të hyjnë, maskarenjtë, mashtruesit”.

Naftëtarët protestojnë për pagat që nuk i kanë marrë prej muajit Janar, ndërsa kompania që i ka detyrime ka kërkuar rifillimin e punës duke i thënë punonjësve që të bëjnë kërkesë punësimi. Para dy javësh, krytetari i Sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj, i cili ishte në takim me përfaqësuesit e kompanisë u shpreh: “Do ju marr unë në qafë këtë herë. Ditën e enjte, nëse nuk bëhet kontratat për garancimin siç kemi rënë dakord, rafineria nuk është më e Gëzimit, është e jona. Edhe dicka e fundit, unë jam në besën tuaj. Kam dhënë fjalën aty. Kam marrë kontratën individuale dhe kolektive. Kontrata individuale është ajo që kemi pasur me kompaninë e fundit, kolektiven e kemi vënë në diskutim, do të ecë në rrugë paralele me kolektiven.

Nëse pronari nuk vjen ditën e enjte me njerëzit e duhur që të zhvillojë kontrata këtu, atëherë jam unë njeriu që ju kam thyer në besë juve”.

Screenshot 1 36 696x538 1