Rama ishte pjesë e triadës

Nga Ermal Xhelilaj

Kryeministri Rama ishte pjesë e triadës, ndoshta edhe ideatori kryesor, që kishte planifikuar copëtimin e Kosovës, duke i mundësuar Serbisë aneksimin e pjesës veriore të territorit kosovar. Presidenti Trump jo vetëm nuk e mbështeti këtë ide, por me marrëveshjen ekonomike Kosovë-Serbi dhe ndikimin mbi Izraelin për njohjen e Kosovës, ai rikonfirmoi e legjitimoi integritetin e saj territorial dhe ndikoi drejt konsolidimit të mëtejshëm të shtetësisë së Kosovës.

Të gjitha pikat e tjera të marrevëshjes kanë të bëjnë me bashkëpunimin ekonomik rajonal që qendron në themel të kritereve që duhet të plotesojnë vendet Ballkanike (duke përfshirë Shqipërinë, Serbinë e Kosovën), për hapjen e negociatave me BE. Propaganda e Kryeministrit se takimi në Washington ishte në linjë me politikat e tij mbi Kosovën janë gënjeshtra e radhës për t’i hedhur hi syve shqiptarëve lidhur me vendimin e kontributin e tij rrënjësor për ndarjen e Kosovës e destabilizmin e rajonit si rezultat i këtij plani të rrezikshëm që minon paqen e sigurinë.

Në kundërshtim me politikat antikombëtare të Kryeministrit, Partia Demokratike ka mbrojtur me forcë integritetin territorial të Kosovës dhe ka punuar me faktorët ndërkombëtar për konsolidimin e e njohjen e shtetit të Kosovës. Partia Demokratike ka denoncuar vendimin e KM për copëtimin e Kosovës dhë ka luajtur një rol të rëndësishëm për të mos lejuar realizimin e kësaj strategjie antikombëtare.

Njëkohësisht, Partia Demokratika ka promovuar bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe marrëdhëniet ekonomike të Shqipërisë e Kosovës me shtete të tjera, si dhe ka qenë përherë për marrëdhënie të mira fqinjësore të Kosovës me shtetet në rajonin Ballkanik e më tej. Plani i Edi Ramës për të krijuar diversion është i dështuar dhe do marrë shumë shpejt përgjigje nga vota e qytatarëve shqiptarë.