PS bojkoton Këshillin Politik dhe refuzon OSBE/ODIHR

Opozita për Këshillin Politik: PS bojkotoi mbledhjen dhe refuzoi OSBE/ODIHR-in. Jemi gati që sot të rikthehemi në Këshill. Kodi Zgjedhor aktual është propozimi ynë.

DEKLARATA E PËRFAQËSUESIT TË OPOZITËS NË KËSHILLIN POLITIK, OERD BYLYKBASHI
Siç e thashë në prononcimin e mëhershëm, ne bëmë kërkesën zyrtare që përfaqësuesi i Partisë Socialistë të bjerë dakord për të dërguar shkresën zyrtarisht nga Këshilli Politik në OSBE/ODIHR për të marrë asistencë dhe opinion në lidhje me përputhshmërinë, me standardet të këtij propozimi që ata bëjnë. Ne kemi si propozim Kodin Zgjedhor që është sot në fuqi i miratuar më datë 23 korrik, mbi bazën e konsensusit.

Ishim të gatshëm të vazhdonim mbledhjen sa kohë që përfaqësuesi i Partisë Socialiste do të reflektonte. Ai e bojkotoi mbledhjen e Këshillit Politik, u largua. Ne jemi të gatshëm që, nëse reflektojnë, nëse PS reflekton, të rikthehemi po sot për të vazhduar mbledhjen, duke, së pari, nënshkruar një letër, kërkesë zyrtare nga këshilli për OSBE/ODIHR-in.

Në të kundërt, Këshilli Politik, i cili bazohet mbi një marrëveshje politike të rëndësishme, është një organ serioz, i cili ka nevojë që përgjigja e PS të bëhet zyrtarisht. Atë që ai refuzoi në mbledhje duke thënë “sot ne nuk mund t’i drejtohemi OSBE/ODIHR”-it.”, ta sjellë si refuzim zyrtar. Përndryshe jemi të gatshëm të firmosim këtë shkresë së bashku dhe të vazhdojmë punën duke marrë edhe ekspertizën e OSBE/ODIHR-it.