Protesta/ Naftëtarët e Ballshit paralajmërojnë greve urie: Jemi në mes të katër rrugëve. Shkuam në Tiranë dhe nuk na priti njeri!

Punonjësit e rafinerisë së Ballshit i janë rikthyer protestave. Ata janë mbledhur sërish këtë të Premte para dyerve të rafinerisë.

Naftëtarët kërkojnë nga organet qeverisëse të reflektojnë për plotësimin e kërkesave të tyre, marrjen e pagave të prapambetura dhe fillimin e punës së rafinerisë.

Naftëtarët u shprehën se ditën e hënë do të hyjnë në greve urie pranë ambienteve të Kombinatit nëse kërkesat nuk do të plotësohen.

Sokol Dautaj, kreu i sindikatës së naftëtarëve të Ballshit thotë se pavarësisht protestave të shumta deri tani nuk kanë gjetur zgjidhje: “Jemi në mes të katër rrugëve. Shkuam në Tiranë për të biseduar dhe nuk na priti njeri. Do ndjekim çdo rruge ligjore pasi tani shoqatën e kemi të ligjeruar edhe në gjykatë. Nuk kemi asnjë përgjigje as për pagat dhe as për fillimin e punës”.