Pika e marrëveshjes, si e trullosi Trump, Vuçiçin (foto)

Një video e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq gjatë momentin të fjalimit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, është bërë virale në rrjetin social Twitter.

Në momentin kur Trump përmend se Serbia do të vendosë ambasadën në Jerusalem, shihet Vuçiq teksa shikon edhe njëherë dokumentin që ka para vetes, pastaj kthen kokën i nervozuar nga këshilltarët e tij dhe mëpas vendos dorën mbi ballë.

Shumë përdorues të rrjetit social Twitter kanë shpërndarë video, duke shkruar se ka mundësi që Vuçiq e ka nënshkruar marrëveshjen pa e ditur se çfarë përmbante ajo.

“Momenti kur presidenti serb, Vuçiq e kupton se marrëveshja që sapo e nënshkroi (si duket pa e lexuar) thotë se vendi i tij duhet ta vendos ambasadën në Jerusalem të Izraelit”, shkruan një përdorues në Twitter.

Ndërkaq, ambasadori i Palestinës në Beograd, Mohamed Nabhan, ka reaguar për marrëveshjen e Uashington-it, në një pikë të së cilës ka të bëjë me Izraelin dhe zhvendosjen e ambasadës serbe nga Tel Avivi në Jeruzalem.

Nabhan ka thënë se nëse ndodhë kjo, atëherë është në dëm të së drejtës së popullit palestinez në Jeruzalem.
Ai theksoi se kjo është në kundërshtim me rezolutën e Kombeve të Bashkuara, e cila i referohet çështjes palestineze.

Nabhan shtoi se kjo do të dëmtonte miqësinë tradicionale midis Palestinës dhe Serbisë dhe zhvillimin e saj të mëtejshëm.