Përvoja e një mjeku nga Uashigtoni gjatë pandemisë së koronavirusit

Punonjësit mjekësorë po bartin barrën kryesore të pandemisë së koronavirusit. Një mjek nga qytetit i Uashingtonit, edhe pse i shqetësuar, gjen shpresë në mes të krizës.

“Interesimi im për mjekësinë filloi rreth moshës shtatë vjeçare. Në atë kohë isha i sëmurë me tifo. U shtrova në spital për tetëmbëdhjetë ditë. Pas kësaj ndjeva një tërheqje nga mjekësia. Më ishte ngulitur në kokë ideja për të ndihmuar dhe për t’u kujdesur për njerëzit e pambrojtur”, thotë Dr. Amey Kulkarni, kardiolog me “Kaiser Permanente”. “Unë nuk mendoj se dikush ka menduar që gjatë jetës sonë, ne do të shohim diçka si koronavirusi.”

“Jeta në repartet e trajtimit të pacientëve të infektuar me Covid-19 është e dobishme dhe e tensionuar. Ka njëfarë kuptimi se çfarë është kjo sëmundje dhe çfarë mund të bëjë. Kështu që ne i kushtojmë vëmendje përdorimit të pajisjeve personale mbrojtëse, hyrjes së infermierëve, mjekëve dhe personelit që testojnë pacientët, në dhomat pacientëve me Covid-19”, thotë ai.

“Njerëzit që janë të sëmurë dhe nuk ndjehen mirë kanë mundësi të përmirësohen. Njerëzit shërohen. Unë mendoj se është e rëndësishme të t’ua kujtojmë vetes se koronavirusi është një sëmundje nga e cila mund të shërohen shumë njerëz. Dhe unë mendoj se mundësia për të qenë pjesë e shërimit të njerëzve është vërtet e rëndësishme dhe e dobishme.”

“Jeta e të gjithëve ka ndryshuar si rezultat i koronavirusit. Edhe jeta jonë, si mjek ka ndryshuar në këtë aspekt. Pra, kalimi nga puna në zyrë në bërjen e punës nga shtëpia ishte një proces i shpejt edhe për ne.”

“Tani shqetësohem që pacientët e mi me probleme të zemrës kanë frikë të kërkojnë ndihmë nga shqetësimi se mund të infektohen me COVID-19 në spital. Unë gjithashtu shqetësohem për pacientët me koronavirus se ata do të kenë ndonjë komplikim të rëndë. Pra, ky është një shqetësim i dyfishtë, që unë mendoj se është një ndjenjë e re për të gjithë ne.”

“Shumë prej nesh shqetësohen se mund të përhapim virusin tek familjet tona. Unë mendoj se ne të gjithë e kemi në mendje këtë. Të gjithë kemi frikën se bashkëshortes dhe fëmijëve tanë mund t’u ndodh një gjë e rëndë. Kam shumë frikë se mund të infektoj prindërit. Ata janë në kategorinë e njerëzve me rrezik më të lartë.”

“Dhe ne jemi të ndërgjegjshëm për rreziqet që bartim si punonjës të kujdesit shëndetësor.”

“Ka patur një revolucion të madh mbi njohuritë mjekësore në dy muajt e fundit për shkak të pandemisë. Unë mendoj se një numër i madh i punonjësve mjekësorë kanë mësuar se si të interpretojnë shpejt të dhënat dhe të bëjnë dallimin mes të dhënave të mira dhe atyre të këqija, si kurrë më parë. Kjo na ka ndihmuar të lëvizim më shpejt nga pikëpamja shkencore në betejën me koronavirusin. Unë mendoj se jemi më të përgatitur tani se sa dy muaj më parë. Do të jemi edhe më të përgatitur pas një muaji sepse mendoj se mënyra se si ne po interpretojmë dhe kuptojmë dhënat ka ndryshuar rrënjësisht në mënyrë tepër pozitive”, tha Dr. Amey Kulkarni, kardiolog në kompaninë Kaiser Permanente.