Përkujtohet 74 vjetori i Kryengritjes së Postribës!

Nga Enkelejd ALIBEAJ

9 shtator 1946! Kryengritja e Postribës!

Sot, pata nderin dhe privilegjin, që në emër të Kryetarit të PDSH z. Lulzim Basha, së bashku me kolegë ish deputetë, anëtarë të kryesisë së PDSH, kryetaren e Bashkisë Shkodër znj. Ademi, përfaqësues të Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë, dhe të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, e me pasardhës e familjarë të heronjve të Postribës, të merrja pjesë në 74 vjetorin e përkujtimit të saj, si një detyrim njerëzor, moral e politik në nder të saj.

E kryer, plot 10 vjet më parë se “Revolucioni hungarez”, u shënua në histori si e para Kryengritje Antikomuniste në gjithë Europën Lindore. Në vitin 1945, pas të Kelmendit, Koplikut, Bërdicës dhe Anës së Malit, kjo e Postribës, pati meritën se guxoi të sfidonte me një aksion sulmues regjimin komunist, bash në pikun e revanshit të tij.

Kryengritja, në pabesi, u shtyp me gjak! Ate ditë u pushkatuan publikisht 12 kryengritës. Të nesërmen nga 10 shtatori e për cdo ditë deri edhe gjatë vitit 1947, nuk pushuan terrori, vrasjet e internimet. Mbi 60 të vrarë, një dyzinë shtëpish u dogjën. Brenda 1 muaji në Shkodër u ngritën 11 burgje të përkohëshme dhe mbi 1200 u arrestuan. Gjyqe të improvizuara ushtarake pasuan dhe sheshet e Shkodrës u shndërruan në poligone të qitjes ushtarake të ekzekutimit. Kufoma të mbuluara e të pambuluara ngado në sheshet e qytetit.

Postribasit dhe qytetarët e vjetër të Shkodrës, u bënë dëshmitarë, të shtangur nga tmerri i pamjeve të lemerishme të masakrave ditën për diell, ekzekutimeve publike pa gjyq. Cdo ditë, bisha komuniste servirte mesha të zeza sataniste, të shoqëruara me kryqëzimin e ajkës së inteligjencës dhe klerit. Turmat e topituara të qytetarëve shkodranë, në dy anët e bulevardit u detyruan të shihnin në heshtje, kob e brengë, këtë komedi të zezë funebre që shënoi pllakosjen e komunizmit në Shqipëri.

Sot, 74 vite më pas, e në vazhdim, është një detyrim i të gjithë shqiptarëve antikomunistë, të respektojnë, guximin e atyre burrave, që patën kthjelltësinë politike dhe gjykimin e pastër, të parashikonin, se vendosja e komunizmit në Shqipëri do të ishtë pjesa më e zezë e historisë shqiptare. Ashtu sic edhe rezultoi dhe sic e ndjenë nën lëkurë breza të tërë.

Nëse ajo kryengritje nuk do të thyhej e përgjakej me pabesi, historia jonë do të kishte qenë ndryshe. Së paku, komunizmi nuk do ishtë mbjellë e nuk do të mbretëronte për 47 vjet. Ndaj Postriba është pengu më i madh i historisë sonë e shekullit XX. Ndaj amaneti i atyre burrave kryengritës rëndon si mision për ne. Postriba është sot e në vazhdim, testi moral i gjithësecilit që vuajti dhe refuzoi komunizmin dje apo i atyre që lindën në postkomunizëm: Cfarë ia vlen të sakrifikosh për lirinë?! Është sfidë e pashmangshme e identitetit që i rëndon gjithësecilit.

“Kush të dojë e kush të mundet” e përqafon sot këtë sfidë, ashtu si ata burra 74 vite më parë! Është bankoprova se cfarë raporti kemi me të vërtetën; sa të aftë jemi të flakim hipokrizinë dhe komplekset e së shkuarës dhe të pranojmë vuajtjen, sakrificën, padrejtësinë e bërë ndaj atyre burrave e pas tyre gjithë shqiptarëve; sa të aftë jemi të dalim mbi pengjet e së shkuarës, mbi brengat dhe keqkuptimet e historisë dhe të pranojmë se paqja mund të vendoset vetëm me drejtësi! Sepse Postriba mund të na bëjë vecse krenarë!

I paharruar kujtimi i tyre e Zoti na ndricoftë mendjen!

3 13

4 9

5 4

6 1

1 20