Na duhet një Kryeministër normal

Ermal MULOSMANI

Dje Kryeministri i Shqipërisë, zoti Edi Rama, mblodhi Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste në një takim mobilizues elektoral përpara fushatës së ardhshme. Vendi i takimit ishte zgjedhur brenda ambienteve të një kompanie private, rrëzë një shpati mali të dekoruar as më pak e as më shumë me bustin madhështor të Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut.

Foltorja e Kryeministrit ishte zgjedhur në mënyrë të tillë që, sapo të hapej pak plani i kameras, në kuadrin filmik të bashkohej figura e Kryeministrit me atë të heroit. Një ide banale e patetike në dukje, por, duke qenë e përsëritur në numër të madhe herësh (i ndarë shpesh edhe me Ismail Qemalin) më bëri të mendoj që kjo nuk është thjesht një ekstravagancë kryeministrore por një zgjedhje e studiuar marketingu. Jetojmë në kohën e imazhologëve, asgjë nuk është rastësi.

Milan Kundera e shpjegon me fjalë shumë të thjeshta katandisjen e ideologjisë në imazhologji. Sipas tij, marksistët e persekutuar në Rusi formonin rrethe klandestine punëtorësh dhe përpiqeshin t’ua thjeshtonin idetë e Kapitalit të Marksit. Këta të dytët, në kontakt me të tretë, si në një lojë fëmijësh, e thjeshtonin edhe më shumë thjeshtimin e parë duke e katandisur veprën e tij në një grup prej shtatë a tetë parullash. Këto parulla-thotë Kundera- shoqëroheshin me imazhe dhe emblema sugjestionuese (punëtori qesh duke mbajtur çekanin, i bardhi i shtrin dorën të verdhit e të ziut, pëllumbi i paqes duke fluturuar etj etj). Dhe punëtorët, sigurisht e gjenin veten më kollaj te imazhet.

Ky është mekanizmi i kthimit të ideologjisë në imazhologji.

Pak më poshtë, në të njëjtin kapitull, shkrimtari shpjegon sesi kohët moderne shënojnë triumfin më të thellë e përfundimtar të imazhologjisë mbi ideologjinë. Të gjitha ideologjitë janë mposhtur. Komunistët për shembull kanë besuar që evolucioni do ta varfërojë gjithnjë e më shumë proletariatin. Mirëpo kur panë që gjithë punëtorët e Evropës ktheheshin me makinë nga puna konstatuan se realiteti ua kishte bërë me hile.

Realiteti e kishte mundur ideologjinë.

Shtjellimi që i bën tezës Kundera është shumë i gjatë por po e përfundoj vetëm me një shembull. Një nëpunës francez që jeton shumicën e kohës së tij ndërmjet zyrës dhe shtëpisë, ndez televizorin për t’u informuar por aty sheh rezultatin e një sondazhi për sigurinë në Francë dhe zbulon se shumica e francezëve mendojnë se Franca është kampione e Evropës në këtë fushë! Nëpunësit i shkëlqejnë sytë, hap një shishe shampanjë për të festuar këtë arritje. Paçka se në javën e fundit, në rrugicën e tij, kishin ndodhur dy vrasje e tre grabitje me dhunë. Ai feston sondazhin jo realitetin.

Ky është triumfi i imazhologjisë ndaj realitetit!

Pikërisht mbi këto parime të zbuluara njëqint e kusur vite më parë veprojnë imazhologët e sotëm. Ata, duket, e këshillojnë të rrijë përbri ose përpara figurave historike. Një ose dy herë ndoshta njerëzit do të qeshin por më vonë do fillojnë të besojnë vërtetë që Ky është pasardhësi modern i tyre. Elisa mund të duket vërtetë qesharake me krahasimet por diçka do mbetet në kujtesë. Njerëzit duhet të bombardohen me imazhin e Ramës afër Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, ata duhet të jenë sistemi i tij i referimit. Mjekra e bardhë sigurisht është një zgjedhje e tyre. Po sendërtohet Ismail Qemali modern. Patetizmi e ka pasë mbytë këtë popull por Rama e di që ai mban prapë ndaj pyet në publik deputetët e vetë: “A jam unë më i miri”? Pasi jep vetë përgjigjen vazhdon “Kjo nuk diskutohet por a e kam dhënë unë më të mirën në raport me veten”? Pak më vonë vazhdon me një frazë të stërkonsumuar e po aq patetike të Presidentit Kenedi “ Mos pyet se çka bërë atdheu për ty porçke bërë ti për Atdheun”. Një editorial i gazetës më të afërt me të shkruante “Edi Rama ka luftën me veten”.

Ilir Beqja dukej i përhumbur duke dëgjuar të tilla delire, Manastirliu e përdëllyer pse mund të vihej në diskutim me zgjedhje Skënderbeu…Një teatër qesharak e absurd.

O Zot, si nuk e kuptojnë këtë fat qëu ka rënë shqipatrët!
Një Ramë kaq patetik e delirant nuk e kisha parë ndonjëherë….

Por a ka vërtetë nevojë Shqipëria për një Skëndërbe të ri në kohërat që po jetojmë? Kur ia bëra këtë pyetje vetes m’u kujtua një konferencë e përbashkët shtypi mes Ramës dhe Vuçiç, atëherë Kryeministër i Serbisë. Kur një gazetar i pranishëm e pyeti për rezultatin e zgjedhjeve në Amerikë apo Gjermani, Vuçiç u përgjigj jo pa ironi: “Këto çështje i mbulon Rama, unë jam lider lokal, shoh punët e vogla të miat”…

Edi Rama vuan nga gjigantizmi modern. Ai edhe borxhet i merr gjigante. 5,9 miliardë kanë marrë Qeveritë shqiptare në 23 vjet pluralizëm, 5 miliardë ka marrë Rama në 7 vjet. Edhe rrugët, urat, aeroportet, stadiumet, kullat i ndërton gjigande. Sidomos në 3D. Mirëpo 5 miliardë borxhe në 7 vjet janë afërsisht 2000 Euro për çdo shqiptar. Pra, çdo familje me katër anëtarë ka marrë borxh 10 mijë Euro. Po ta dinin këtë borxh, shumica e fukarenjve të Shqipërisë do vrisnin veten ose borxhmarrësin.

Shqipëria ka nevojë për një Kryeministër normal, një lider lokal. Kudo mund të gjendet ai. Një njeri që i rri përmasave të vendit, nuk i dalin këmbët jashtë. Një njeri kokulur që të paktën të mos i tallë banorët që qeveris. Një njeri që frikësohet se nesër mund të futet në burg po e shkeli ligjin, që nuk bën tendera fiktivë, që nuk guxon të mbushë Shqipërinë me hashash.

Shqipëria nuk ka nevojë sot për një klonim të Skënderbeut a Ismail Qemalit.