Meta: Ramës po i mbaron koha

Presidenti i Republikës Ilir Meta deklaroi sot se ka mbetur edhe pak kohë për të reflektuar për respektimin e marrëveshjes së 5 qershorit dhe që Shqipëria të kthehet në kursin e duhur për të përmbushur kushtet për hapjen e bisedimeve për pranimin në BE.

Ai tha se nëse nuk respektohet marrëveshja ka vetëm një fajtor, të cilin e akuzoi se vendos fatin e tij para fatit të shqiptarëve.

“…Është përmbushja e të gjithë atyre prioriteteve që kanë të bëjnë me çeljen e negociatave dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësimin dhe përmbushjen e kushteve në mënyrë që Shqipëria të mos e ndajë fatin e saj nga ai i Maqedonisë së Veriut. Maqedonia e Veriut ka bërë një progres të jashtëzakonshëm dhe ka treguar se ka një klasë politike të përgjegjshme, që merr përgjegjësi, që realizon zgjedhje të lira e të ndershme, që respekton votën e qytetarëve dhe parimet e demokracisë dhe i shërben të ardhmes europiane të vendit. Shpresoj që kjo të tregohet në ditët që vijnë edhe në vendin tonë.

Por për fat të keq sjellja me ndryshimet kushtetuese, antikushtetuese dhe tërësisht të njëanshme që goditi apo u përpoq të godasë marrëveshjen e 5 qershorit tregon që jemi në kurs të kundërt me atë që pritet nga të gjithë shqiptarët dhe partnerët tanë seriozë në BE”, deklaroi Presidenti Meta.

I pyetur nëse ishte çështja e listave pjesë e diskutimit me ambasadorin e BE, Kreu i Shtetit tha se çështja e hapjes së listave është çështje që i takon palëve. Meta deklaroi se ka mbetur dhe pak kohë për të reflektuar, përndryshe kuptohet se përgjegjësia do të jetë vetëm e një fajtori.

“Për mua si President ka qenë dhe mbetet e rëndësishme respektimi i marrëveshjes së 5 qershorit, për të cilën falënderova dhe ambasadorët për kontributin që ata dhanë ku dhe unë u përpoqa të jap kontributin tim sidomos në drejtim të insistimit që opozita të mos vendoste si kusht, qeverinë teknike për zgjedhjet e ardhshme edhe pse janë të gjitha provat që nga dosja e Shijakut, që nga dosja e Dibrës dhe sjelljet e tjera se kjo qeveri vë dorë mbi zgjedhjet në mënyrë të hapur dhe brutale.

Opozita bëri lëshimin shumë të madh duke pranuar të mos vërë një kusht të tillë, me qëllim që të mbyllej kjo marrëveshje dhe të jepej një mesazh pozitiv dhe shpresëdhënës për të gjithë shqiptarët por dhe për të gjithë ata që punojnë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda partnerëve tanë. Kështu që gjërat janë të qarta.

Unë mendoj se ka mbetur dhe pak kohë për të reflektuar dhe uroj të ketë reflektim, përndryshe kuptohet se përgjegjësia do të jetë vetëm e një fajtori. Nuk do të ketë dy fajtorë në rast se shkelet marrëveshja e 5 qershorit, nuk do të ketë as 4 fajtorë, do të ketë vetëm një fajtor, i cili për fatin e tij personal, kërkon të vërë në pikëpyetje fatin e 4 mln shqiptarëve. Jo vetëm kaq.

Çështjet shtetërore dhe interesi kombëtar janë të paprekshëm dhe duhet të respektohen njësoj nga të gjithë. Kush mendon se fati i tij është më i rëndësishëm se e ardhmja europiane e Shqipërisë e ka shumë gabim dhe është në kohë për të reflektuar dhe ndryshuar opozitën e vet”, theksoi Meta.