Meta paralajmëron Ramën: Grushti i shtetit do shtypet nga grushti i popullit, vrima e miut do t’i duket shumë e madhe…

Presidenti Ilir Meta, në fjalën e tij para mediave sot, ka përshëndetur opozitën që ka qenë e gatshme për hapjen e listave dhe ka ftuar edhe mazhorancën ta ndjekë atë.

Por, Meta e ka paralajmëruar mazhorancën se, nëse do të bëjë shkelje të njëanshme siç veproi në rastin e ndryshimeve kushtetuese, atëherë tha ai, është e qartë se “kemi të bëjmë me një grusht shteti dhe ai do të shtypet nga grushti i popullit”.

“Unë i ftoj t’i qëndrojmë marrëveshjes së 5 qershorit së arritur me mund, – tha Presidenti. –  Të mos devijojmë. Përshëndes opozitën që ka qënë e gatshme për hapjen e listave 100 % dhe mendoj se është në dinjitetin e të gjitha forcave politike që ta bëjnë këtë”.

“Meqënëse partitë në Shqipëri kanë kohë në Shqipëri që nuk bëjnë dot as zgjedhje brenda tyre, nëse mazhoranca nuk dëshiron t’i hapë listat, le t’i mbajë të mbyllura, por të mos pengojë forcat e tjera se përndryshe, nëse do të kemi shkelje të njëanshme siç u bë me ndryshimet kushtetuese është e qartë se kemi të bëjmë me një grusht shteti dhe ai do të  shtypet nga grushti i popullit.”

Meta shtoi: “Mirë a keq, ju e keni presidentin. Edhe sikur të kishin mbaruar të gjithë burrat e Shqipërisë, atëherë… Kur ngrihen gratë e Bjellorusisë në protestë, gratë e Shqipërisë u bëjnë atë që do duket shumë e madhe edhe vrima e vrimës së miut”.

“Mos u bëni merak, Presidenti është këtu. Zgjedhjet janë domosdoshmëri. Kush mendon se është e rëndë dhe do të fabrikojë shumicë, sipas dosjeve të Shijakut e Dibrës që ka parë gjithë bota, le ta provojë. Presidenti nuk i thotë askujt të mos bëjë eksperimente, por me fatin e tyre të mos cenojnë popullin shqiptar sepse e them edhe një herë, vrima e vrimës së miut do t’u duket shumë e madhe”.