Meta: Me zgjedhje të lira pastrohet gjithçka dhe do të kemi institucione plotësisht demokratike dhe legjitime

Presidenti Ilir Meta ka deklaroi sot se, “ka ardhur koha që nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të pastrohet gjithçka në vendin tonë dhe të kemi institucione plotësisht demokratike dhe legjitime”.

Presidenti foli nga Vlora, pasi mori pjesë në konferencën historike kushtuar Luftës së Vlorës së 1920-ës. Ai iu përgjigj interesit të gazetarëve se si e kishte lexuar, mesazhin e Ambasadores amerikane Yuri Kim për partitë dhe figurat e pastra në politikë.

“Mendoj se ka ardhur koha që nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të pastrohet gjithçka në vendin tonë dhe të kemi institucione plotësisht demokratike dhe legjitime. Vetëm zgjedhjet e ligjshme dhe të ndershme e pastrojnë politikën nga elementë kriminalë apo të korruptuar apo të cilët për interesa grupesh të ndryshme kërkojnë të mbajnë peng funksionin e shtetit ligjor në mënyrë të plotë dhe europiane”, u shpreh Meta.