“Messi po kryen tradhtinë më të madhe në historinë e futbollit”

Gazetari i njohur spanjoll, Edu Aguirre, e ka kritikuar ashpër Lionel Messin për vendimin për t’u larguar nga Barcelona këtë verë, duke e akuzuar argjentinasin se po e kryen tradhtinë më të madhe në histori të sportit.

Messi, i cili e dorëzoi një shkresë largimi në fillim të javës së kaluar dhe nuk u paraqit në stërvitjet e para të Barçës për sezonin e ri këtë javë nën urdhrat e trajnerit të ri Ronald Koman, nuk e vlerëson veten lojtar të Barcelonës më.

Ai dëshiron të largohet falas, por nuk e shfrytëzoi afatin e 10 qershorit që ia mundësonte një gjë të tillë.

Avokatët e tij këmbëngulin se afati i 10 qershorit duhet të shtyhet sepse sezoni 2019/20 nuk përfundoi në qershor por në gusht.

Barcelona, në anën tjetër, ende e vlerëson Messin kapiten të skuadrës dhe këmbëngul se ai mund të largohet vetëm nëse paguhet klauzola e lirimit në vlerë 700 milionë euro. Për këtë klubi katalonas e ka mbështetjet e ligës elitare spanjolle, La Liga, po ashtu.

Aguirre, gazetar në programin e njohur televiziv spanjoll “El Chiringuito de Jugones”, beson se vendimi i gjashtë herë fituesit të Topit të Artë për t’u larguar është akti tradhtie ndaj klubit.

“Për mua, Messi po e kryen tradhtinë më të madhe në histori të futbollit. Tifozët e Barcelonës nuk e meritojnë këtë”, tha Aguirre.

“Është koha që Messi të mbajë konferencë për media dhe të thotë: ‘Do të qëndroj sepse kam kujtime këtu dhe e di se çfarë do të thotë ky klub për mua’. Messi nuk duhet të largohet tani”, shtoi ai. “Messi po e braktis një barkë që po fundoset”, sipas tij.