Më 26 tetor, Senati voton për gjykatësen Amy Coney Barret

Ligjvënësit amerikanë po përgatiten për një betejë historike të konfirmimit të gjykatëses Amy Coney Barret, të emëruar nga Presidenti Trump për anëtare e Gjykatës së Lartë, që do të bëhet vetëm disa javë para zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.

Procesi filloi të martën kur gjykatësja Barrett zhvilloi takime me senatorë republikanë në zyrat e Kongresit amerikan. Nëse konfirmohet, zonja Barret do të jetë anëtarja e tretë konservatore në Gjykatën e Lartë që emërohet nga Presidenti Trump.

“Gjykatësja Barrett personalisht përfaqëson më të mirën e Amerikës, për sa i përket intelektit të saj të madh dhe biografisë së saj të shkëlqyeshme”, tha të martën Nënpresidenti Mike Pence ndërsa e shoqëronte zonjën Barrett gjatë vizitës në Kongres. “Ne kemi besim se ndërsa populli amerikan mëson më shumë për gjyqtaren Amy Coney Barrett, ata do të frymëzohen ashtu si Presidenti Trump kur njoftoi emërimin e saj.”

Ajo gjithashtu u takua me Kryetarin e Komisionit Juridik të Senatit, Lindsey Graham dhe anëtarët republikanë të këtij komisioni, Mike Crapo, Chuck Grassley, Mike Lee dhe Ted Cruz.

Senatori Cruz foli për thirrjet e demokratëve të Kongresit që zonja Barrett të tërhiqej nga çdo çështje e lidhur me zgjedhjet nëse konfirmohet.

“E gjithë arsyeja që Senati duhet të veprojë dhe duhet të veprojë menjëherë për të konfirmuar anëtaren e nëntë është se Gjykata e Lartë mund të zgjidhë çdo çështje që lind në prag të zgjedhjeve”, tha Senatori Cruz të martën.

Demokratët janë kundër përshpejtimit nga republikanët të procesit të konfirmimit të gjykatëses Barret. Ata thonë se fituesi i zgjedhjeve presidenciale duhet të emërojnë një pasues të gjykatëses liberale Ruth Bader Ginsburg, e cila vdiq më 18 shtator në moshën 87 vjeçare. Shumica e amerikanëve mbështesin këtë pikëpamje, sipas sondazheve kombëtare.
Demokratët gjithashtu kanë shprehur shqetësimin se gjykatësja Barrett mund të hedhë votën vendimtare në një çështje që do të shqyrtohet në Gjykatën e Lartë më 10 nëntor, në të cilën Trump dhe aleatët republikanë po kërkojnë nga gjykata rrëzimin e ligjit të Kujdesit Shëndetësor të miratuar gjatë administratës së Presidentit Obama.

Senatori Chris Coons, anëtar demokrat i Komisionit Juridik të Senatit, tha se ai do të takohej me gjykatësen Barrett pavarësisht shqetësimeve të tij.

“Ajo që po diskutohet është filozofia e saj gjyqësore, politikat e saj dhe për këtë arsye do t’i bëj asaj shumë pyejte në lidhje me këto çështje,” tha Senatori Coons të martën për kanalin Fox News. “Presidenti Trump, para se ta zgjidhte atë, tha se ai do të emëronte në Gjykatën e Lartë vetëm ata që do të rrëzonin Ligjin e Kujdesit Shëndetësor të Përballueshëm”.

Por udhëheqësi i shumicës së Senatit, Mitch McConnell tha se shqetësimet e demokratëve në lidhje me qasjen e gjykatëses Barrett ndaj vendimeve mbi Aktin e Kujdesit Shëndetësor ishin të pabaza.

“Një nga taktikat e parazgjedhura të krijimit të frikës është se gjykatësja Barrett do t’ua heqë amerikanëve kujdesin shëndetësor”, tha McConnell në sallën e Senatit të martën. “Ky është pohimi që kjo nënë e shtatë fëmijëve, duke përfshirë fëmijë që kanë lindur ose janë birësuar duke u përballur me sfida të mëparshme mjekësore, është e gatshme t’ua bllokojë familjeve të ngjashme qasjen tek kujdesi shëndetësor. Çfarë shpifje!”

48-vjeçarja Barret është një katolike e devotshme, shumë popullore në mesin e të krishterëve ungjillorë konservatorë, një nga grupet e mbështetësve më besnikë të Presidentit Trump. Grupet e të drejtave të abortit janë të shqetësuara se konfirmimi i gjykatëses Barrett mund të kërcënojë vendimin historik të vitit 1973 Roe v. Wade që legalizoi abortin në Shtetet e Bashkuara.

Si profesore në Fakultetin Juridik të Universitetit Notre Dame, Barrett ka shprehur disa kritika ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë për rastin Roe v. Wade, i cili mbron të drejtën e grave shtatzëna për të abortuar pa kufizime të panevojshme të qeverisë.

Barrett aktualisht shërben në Gjykatën e Apelit në Distriktin e 7 pasi u emërua nga Presidenti Trump dhe u konfirmua nga Senati në 2017.

Që nga konfirmimi i saj në distriktin e 7-të, Barrett ka shkruar më shumë se 100 vendime që kanë reflektuar vazhdimisht vlerat e saj konservatore.

Takimet jozyrtare këtë javë janë pjesë e një procesi tradicional që çon në seancat konfirmuese që pritet të fillojnë më 12 tetor. Konfirmimi i gjykatëses Barrett do t’i jepte konservatorëve një shumicë të qartë 6-3 në Gjykatën e Lartë.

Senatori Lindsay Graham ka thënë se Komisioni Juridik i Senatit ndoshta do të votojë për konfirmimin e gjykatëses Barrett më 22 tetor, duke hapur rrugën për një votim nga të gjithë anëtarët e Senatit. Republikanët kanë shumicën në Senat, 53-47. Votimi përfundimtar mund të caktohet për 26 tetor.