Mafia e karburanteve, Rama me kompaninë guackë që mbulon azerët e Rafinerisë së Ballshit

Kryeministri, Edi Rama, njoftoi të hënën se gjatë një takimi të zhvilluar me presidentin azer, Ilham Aliyev, diskutoi, mes të tjerash, edhe problemin e rafinerisë së Ballshit. Rama tha se në këtë çështje tashmë është përfshirë një kompani azere dhe se ai mori angazhimin e presidentit azer për zgjidhjen afatgjatë të problemit.

Në fakt, Kryeministri i hoqi zyrtarisht maskën një transaksioni të ndodhur qysh në maj të vitit 2019, kur kompania që zotëron rafinerinë e Ballshit, Allum Enteprises, u ble nga një kompani e regjistruar në Zvicër, e quajtur Mercado Exterior.

Ndërmarrja në fjalë është e regjistruar në kantonin e Luganos, me object kryesor aktivitetin në shërbimet e transportit dhe ka të gjitha tiparet e kompanive guackë që regjistrohen shpesh në shtete me legjislacion të favorshëm, si Zvicra apo Hollanda, për të fshehur pronarët e vërtetë. Mercado Exterior rezulton e administruar nga një shtetase italiane, e quajtur Milena Conforti, ndërsa aksionerët janë të panjohur.

Pas shitjes, i vetmi personazh në strukturat drejtuese të shoqërissë Allum Enterprises me rekorde si sipërmarrës është një shtetas azer, i quajtur Yusif Ayybov.

Ai është vëllai i zëvendëskryeministrit të Azerbajaxhanit, Yaqub Eyybov, dhe prej vitesh jeton në Kroaci, ku zotëron një kompani të quajtur Montevideo, me aktivitet kryesisht në sektorin e pasurive të paluajtshme. Fillimisht, Ayybov u emërua direkt administrator i Allum Enterprises, por, ndoshta me qëllim për të mos u ekspozuar shumë, ia la formalisht detyrën një shtetasi italian, i quajtur Alessandro Lombardi, që është edhe sot administrator zyrtar i kompanisë.

Por, postimi i të hënës në Facebook nga kryeministri Rama e shpalli publikisht se Rafineria e Ballshit është sërish në duart e sipërmarrësve azerë.

Në vitin 2013 Rezart Taçi pranoi ta shiste ARMO-n e mbytur në borxhe tek Heaney Assets, një kompani offshore e kontrolluar prej drejtuesve të Bankës Ndërkombëtare të Azerbajxhanit (IBA), që në 2008 pati financuar pjesën më të madhe të blerjes së ARMO-s prej tij. Por, Heaney Assets dështoi brenda një viti, ndërsa në vitin 2015, njeriu që qëndronte pas saj, ish-drejtori i përgjithshëm i IBA-s, Xhihangir Haxhijev u arrestua në vendin e tij për një seri mashtrimesh me kreditë, ndër të cilat përfshihej edhe kredia falë të cilës Rezart Taçi bleu ARMO-n.

Pas kolapsit të vitit 2014, asetet kryesore të lëna si kolateral për kreditë e ARMO-s u sekuestruan në favor të kreditorëve dhe u shitën në ankand. Rafineria e Ballshit u riposedua nga një bankë private.

Me ndërmjetësimin e qeverisë shqiptare, në vitin 2015, Banka ra dakord ta shiste rafinerinë tek një kompani pas të cilës qëndronte biznesmeni shqiptar Besnik Sulaj. Por, IRTC dështoi të paguante shumën e akorduar me bankën, sipas kontratës së shitjes me kusht, ndaj e mori rafinerinë mbrapsht.

Në vitin 2017, rafineria u shit tek një kompani e regjistruar në Britaninë e Madhe, e quajtur Allum Enterprises Limited. Kjo kompani nuk e operoi asnjëherë vetë rafinerinë, por e dha me qira tek Tosk Energji dhe Byllis Energji, dy shoqëri të kontrolluara nga kompani guackë të regjistruara në Zvicër, pas të cilave qëndronte ish-drejtori i ARMO-s në epokën e shkurtër të Heaney Assets, shtetas zviceran Christophe Darbord.

Në vitin 2019 edhe Tosk Energji hyri në kolaps financiar dhe nuk ishte më në gjendje të blinte naftë bruto nga Bankers për të vazhduar biznesin. Që nga nëntori i vitit të kaluar, puna në rafineri është ndërprerë.

Pas dështimit edhe të Tosk Energji, Allum Enteprises vendosi ta operonte vetë rafinerinë e Ballshit. Kompania në fjalë bleu 48 mijë tonë naftë bruto në ankandin e organizuar nga Albpetrol në muajin qershor, ndërsa njëkohësisht arriti edhe një marrëveshje të re furnizimi me Bankers Petroleum. Mbështetur në marrëveshjen me Bankers, pritej që puna të niste në muajin gusht, por deri tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe protestat e punëtorëve të rafinerisë kanë rifilluar.