Krimi i organizuar në nivele të frikshme, Lleshaj nuk kupton…

Shqipëria është goditur nga një valë ngjarjesh kriminale gjatë ditëve të fundit.

Për sociologun Ergys Mërtiri, kjo situatë është tipike për vende që nuk kanë rend sigurie, dhe sipas tij Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, nuk duhet të jetë në detyrë pasi nuk e kupton situatën e krimit.

Ergys Mërtiri: ”Situata është tipike për vende që nuk kanë rend, në kuptimin jo siç thotë ministri Lleshaj sepse ministri përpiqet ta shikoj statistikisht situatën e  krimit. Kjo është një prej arsyeve pse ai nuk duhet të jetë në atë detyrë, për faktin që nuk e kupton realitetin. Në fakt, ai e kupton por bën sikur nuk e kupton”.

I ftuar në ‘Ora News’, Mërtiri tha se niveli i rritjes së krimit të organizuar është në nivele të frikshme.

Ergys Mërtiri: ”Problemi me krimin në Shqipëri nuk është thjesht krimi ordiner, vrasje për motive të dobëta, apo vjedhjet ordinere. Prej kohësh në Shqipëri ka një fuqizim të jashtëzakonshëm të krimit të organizuar dhe krimi i organizuar nuk vret çdo ditë, për motive të dobëta dhe në mënyrë spontane. Vrasjet që kemi parë kanë qenë atentate dhe është shumë shqetësuese. Në momentin që kemi kaq shumë krime, vrasje, atentate, tregon që rritja e nivelit së krimit të organizuar është në nivele të frikshme”.